Kamerat e sigurisë së banesave përreth kanë kapur momentet kur një i ri ka hyrë në një ambient privat për të vjedhur dhe është larguar serbes me një biçikletë.

Ngjarja ka ndodhur në datë 27 qershor, në lagjen nr.17 në Durrës. Në pamjet filmike  që dëshmojnë vjedhjen, dëgjohet edhe zëri i pronarit të banesës ku “mësyn” hajduti  që thotë: Hyn sikur e ka shtëpinë e vet!

Qytetari deklaron se vjedhjen e ka denoncuar edhe në polici dhe po pret ndalimin e të riut hajdut.

Në një tjetër kamera sigurie duket qartë portreti i vjedhësit, çka mund ta ndihmojë policinë për ta identifikuar më lehtë. Personi në foto është një i ri, brun, i veshur me pantallona të shkurtra xhins.

Ky nuk është rasti i parë, kur qytetarët denoncojnë pranë redaksisë së “DurrësLajm” pamjet filmike të fiksuara nga kamerat e sigurisë kur hajdutët vjedhin në mes të ditës në shtëpitë e qytetarëve, të patrazuar nga askush.

Disa video të  publikuara, ku dallohej një hajdut që vepronte kryesisht në lagjet qendrore të qytetit bregdetar, çuan në prangosjen e këtij të fundit, pasi disa vjedhjeve në seri.