12 nëntor 2015 – Dy persona u kapën duke hyrë ilegalisht me skaf nga Brindizi i Italisë në Vlorë, dhe ndaj tyre Policia e Vlorës nisi procedimin penal në gjendje të lirë, pasi akuzohen për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror.
Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se u sekuestrua skafi i markës “Korbeli”, në pronësi të shtetasit V.L 48 vjeç, i cili po procedohet penalisht bashkë me italianin Xh. L., 49 vjeç.
Nga informacione të shkëmbyera me Nuklin kufitar italian, Guardia di Financës, rezulton se shtetasit e mësipërm janë me “rekorde kriminale”, në shtetin italian. Dyshohet se skafi i sekuestruar do të përdorej për trafik droge.
Njoftimi i policisë:
“Më datë 11.11.2014, filloi procedimi penal, për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”, parashikuar nga neni 297 i K.Penal, në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasve: V.L., 48 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, kombësia dhe shtetësia Shqiptare, me profesion mekanik. Xh. L., 49 vjeç lindur dhe banues Brindizi/Itali, kombësia dhe shtetësia italiane, profesion mekanik makinash.
Veprimet e para hetimore në ngarkim të tyre filluan pasi më datë 11.11.2015, në orën 09.30, në bazë të informacioneve të marra më parë nga shërbimet SPKM Hoxharë, se një mjet lundrues tip “Skaf” po lundron nga zona e Semanit për në drejtim të gjirit të Vlorës. Nga DRKM Vlorë u morën masa në bashkëpunim me Delta Forcë dhe Nuklin kufitar italian të Guardia di Financa, Radhimë, Vlorë me mjetin lundrues për të bërë konstatimin dhe identifikimin e mjetit lundrues të dyshuar.
Në orën 09.55, nga mjeti lundrues i Delta Forcë, është konstatuar dhe shoqëruar mjeti lundrues tip “Skaf” me një motor 150 hp i markës “Korbeli”, me gjatësi 6.5 m dhe gjerësi 2.3 m, pa flamurë. Nga kontrolli paraprak rezultoi se mjeti kishte këto të dhëna: Mjetit lundrues “Skaf”, i markës “KORBELI”, pa mbishkrim, i pa matrikulluar, me ngjyrë blu dhe të bardhë me shirita të verdhë, pronë e shtetasit V. L., i cili deklaroi se ishte nisur nga Porti i Brindizit për në Vlorë, në datën 11.11.2015, rreth orës 06:00. Shtetasit nuk kanë bërë njoftim në Kapitanerinë e Portit dhe Policinë Kufitare Vlorë për hyrjen në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Meqenëse është shkelur ligji, konkretisht v.penale “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”, parashikuar nga neni 297 i K.Penal, materialet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasve: V. L. dhe shtetasit Italian Xh.L.
Duke u bazuar në ligjin e lartpërmendur nga ana jonë u bë sekuestrimi në cilësinë e provës materiale të mjetit lundrues, procesverbali i konstatimit të shkeljes si dhe procesverbali i dorëzimit të mjetit lundrues dhe lënies në ruajtje në piken e bllokimit në ambientet e SPKM triport, raporti shërbimit si dhe veprime të tjera procedurale.
(Nga informacione shkëmbyera me Nuklin kufitar italian, Guardia di Finances, Radhimë, Vlorë rezulton se shtetasit e mësipërm janë me “rekorde kriminale”, në shtetin italian.)
/portali DurresLajm/