Komiteti i Ekspertëve pritet që gjatë ditëve në vijim të marrë një shqyrtim kërkesën për të rishikuar detyrimin e paraqitjes së certifikatës së vaksinimit në kufi. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro e cila tha se kjo kërkesë e bizneseve ishte diskutuar gjatë në mbledhjen e qeverisë, të zhvilluar këtë të mërkurë.
“Në mbledhjen e sotme të qeverisë u diskutua edhe një kërkesë që vjen përsëri nga biznesi i turizmit që ka të bëjë me rishikimin e sistemit Green Pass, detyrimit për të treguar në hyrje të kufirit në Shqipëri certifikatë të vaksinimit kundër Covid. Kërkesë e cila u diskutua gjatë dhe ne presim që së shpejti Komiteti i Ekspertëve ta marrë në konsideratë për të parë mundësinë dhe në përputhje me shifrat dhe me avancimin e sistemin e vaksinimit që duke filluar nga Maji të mund ta heqim këtë detyrim, që të çlirojmë, të oksigjenojmë sërish hyrjen e vizitorëve të huaj në Shqipëri. Vendim që sigurisht pritet të merret në ditët në vazhdim nga Komiteti i Ekspertëve”, u shpreh Kumbaro.