Dy vite pas nisjes së punimeve, godina e parkimit publik në Durrës nuk ka përfunduar ende së ndërtuari dhe as të vihet në shërbim të qytetarëve.
Godina do të përbëjë parkimin më të madh publik në qytet me 396 vende parkimi në total në 7 nivelet e saj, por hyrja e deritanishme e parkimit në kënd pingul me rrugën interurbane “Mars 91” është një gabim në projektim.

“Është një parkim që është zhvilluar buzë rrugës interurbane dhe ka zhvilluar hyrjen dhe daljen në mënyrë pingule me rrugën. Sipas standarteve të projektimit, kjo lloj karrexhate nuk plotëson kushtet normale të hyrjes dhe daljes. Ai që e ka projektuar ka mbetur në klasë. Është një njeri që nuk ka bërë shkollën e duhur!”,- thotë për “DurrësLajm” urbanisti Artan Kacani.
Ky gabim pritet të ndikojë ndjeshëm në momentin, kur parkimi publik do të jetë funksional, nëse trau i tij do të vendoset tek hyrja aktuale në kantier.
Nëse kjo gjë ndodh, hyrjet dhe daljet nga parkimi do të krijojnë rradhë të gjatë mjetesh dhe trafik të rënduar në një nga akset hyrëse të qytetit.
Aksi “Mars 91” apo siç njihet ndryshe rruga paralel me portin është aktualisht një nga segmentet rrugore interurbane, që përdoren nga drejtuesit e mjeteve për hyrje-daljet nga qyteti bregdetar.
Në një qytet në zhvillim e sipër dhe që synon drejt turizmit të qëndrueshëm, politikat infrastrukturore dhe investimet publike duhet të përkthehen në shërbime më të mira kundrejt qytetarëve dhe jo projektime qindra miliona lekë që akoma mbeten rrugëve.
M.B.





