Elseid Hysaj dhe Inter mund të jetë një binom që të zyrtarizohet shumë shpejt. E gjitha kjo vërehet nga vetë interesimi i zikaltërve, që pak kohë më parë nisën edhe kontaktet zyrtare me skuadrën e Napolit.
Mirëpo, duket se skuadra nën drejtimin e Kontes do të tentojë që të sigurojë shërbimet e mbrojtësit të cilin e ka ndjekur edhe në vendin tonë. I pranishëm dhe në “Elbasan Arena” ka qenë një nga skautët kryesorë të Interit, i cili ka qenë me detyrën e posaçme për të “spiunuar” paraqitjen e shkodranit në skemën 3-5-2.
Ky është një nga modulet e preferuara të Kontes dhe me gjasë, të dhënat e 90-minutëshit që ka bërë shkodrani nën këtë tip loje, i janë raportuar menjëherë trajnerit të skuadrës zikaltër. Ndërkohë, në deklaratën e dhënë pas ndeshjes, shkodrani ka komentuar paraqitjen e tij në këtë modul të ri, lojën e Shqipërisë dhe të ardhmen e tij.
"Jam duke ia marrë dorën skemës 3-5-2. Jam shumë i lumtur për lojën që po bëjmë dhe për fitoren. Kur është Mërgimi në fushë, me të drejtë duhet ta ketë ai shiritin. Kur të më vijë radha mua, do e mbaj unë. Po punojmë për sulmin dhe unë gjithashtu duhet të mundohem të sulmoj. Shpresoj që të arrij të shënoj një gol me Kombëtaren. E pres shumë dhe shpresoj ta gjej, sepse gjithmonë mundohem të jap 100% për Kombëtaren."





