8 nëntor 2015 – Elseid Hysaj është shndërruar në një titullar te Napoli, në një idhull të tifozërisë së “çmendur” të kësaj skuadre. Ecuria pozitive në kampionat e skuadrës së drejtuar nga Sarri ka nxjerrë në pak edhe cilësitë e mbrojtësit shkodran, pjesë e kombëtares shqiptare. Për pak muaj, çmimi i kartonit të tij është rritur ndjeshëm dhe këto janë “privilegjet” e të luajturit në një klub të madh. Kalimi nga Empoli te Napoli, kësaj vere, është një hap i madh në karrierë për Elseid Hysajn, i cili po përligj gjithçka.

Oreksi është rritur ndjeshëm në Napoli, aq sa ngrihen edhe pyetje të tilla: po sikur të arrihet një sukses i trefishtë, duke fituar titullin në Seria A, Ligën e Europës dhe Kupën e Italisë? Elseid Hysaj është i sigurt se, nëse kjo do të ndodhte, do të kishte “trazira”, në një mënyrë pozitive të kësaj fjale. Mbrojtësi shqiptar ka arritur tashmë të fitojë respektin e tifozëve të Napolit, edhe pse ishte pothuajse i panjohur kur mbërriti nga Empoli. Performanca e tij ka garantuar dukshmëri dhe nderim nga të gjithë tifozët napoletanë. Dhe tani, ai, gjithashtu, është duke ëndërruar gjëra të mëdha me Napolin.

Pyetjes për një sukses të trefishtë të Napolit, Elseid Hysaj iu përgjigj: “Për mua është një ëndërr e realizuar tashmë, që luaj me lojtarë të fortë, si Higuain dhe Callejon. Portieri Pepe Reina është një lider i lindur, ai më ndihmoi shumë për përshtatjen në grup. Unë duhet ta pranoj, herën e parë kam menduar se disa nga lojtarët në ekip kurrë nuk do të më flisnin, por te Napoli, ky nuk është rasti. Suksesi i trefishtë? Nëse kjo ndodh, atëherë mund të shpërthejë Napoli”, ka thënë Hysaj duke folur në “TV Luna”.

/portali DurresLajm/