Sekretarja për Marrëdhëniet me publikun në PD, Jola Hysaj, ka publikuar në faqen e saj të Facebook-ut disa video nga plazhi i Durrësit, që sipas demokrates, e tërë vija bregdetare nuk është pastruar dhe po i përzë turistët.
“Edhe pushuesit, shqiptarët nga Kosova e kanë braktisur Durrësin pikërisht për shkak të situatës alarmante ku ndodhet.
Çfarë ndodh me taksat e qytetarëve? Ku shkojnë paratë e tyre?”, shkruan ndër të tjera Hysaj.
STATUSI I HYSAJT:
Durrësi i ndotur, taksat e qytetarëve shkojnë në inceneratorin e Tiranës
Në javën e fundit të fushatës elektorale, pasi shpenzoi paratë e qytetarëve për tendera gjelbërimi e asfalt elektoral, Emiriana Sako paguan për inceneratorin e Tiranës, por zhyt qytetin në mbetje.
Qytetarët e parë kanë filluar sezonin e plazhit, por mbetjet janë në çdo skaj dhe rëra nuk është pastruar. E tërë vija bregdetare i përzë turistët, nuk i mirëpret.
Edhe pushuesit, shqiptarët nga Kosova e kanë braktisur Durrësin pikërisht për shkak të situatës alarmante ku ndodhet.
Çfarë ndodh me taksat e qytetarëve? Ku shkojnë paratë e tyre?
Turizmi është pika më e fortë, ku durrsakët arrijnë të punojnë e mbledhin të ardhura teksa mirëpresin qytetarë nga brenda dhe jashtë vendit. Por këtë vit me këtë gjendje dramatike, ku ujërat e zeza vijojnë të derdhen në det, papastërtia kalon imagjinatën, duket se e vetmja gjë që mund të bëjnë qytetarët është të largohen.
Pasi u goditën nga tërmeti, nga pandemia, ia arritën të mbijetojnë, por tani i fundos bashkia me një të rënë të lapsit duke e lënë vijën bregdetare në atë gjendje të tmerrshme.