Kadri Tarelli ia ka kushtuar librin e tij të ri të vëllait, Hytbiut, figurë tepër interesante e një artisti shqiptar në mërgim.

Më shumë se një krijimtari e mirëfilltë, libri – album me titull “Hytbi Tarelli, mjeshtër i daltës dhe penelit” është një dedikim i ndjerë për vëllain që nuk jeton më.

Autori, i njohur nga dy librat e parë “Misionarë në udhën e dijes” dhe “Kur lexoj një libër”, brenda vetes e ka quajtur albumin me përjetime kushtuar të vëllait “Arka e kujtesës”.

Kadri Tarelli ka qëmtuar me kujdes gjithçka nga jeta e vëllait që u lind më 5 maj të vitit 1952 në fshatin Braçanj të Devollit.

Pasioni për bukurinë e natyrës u shndërrua shumë shpejt te Hytbiu i ri në ndjesi të mirëfilltë artistike, por pengesat e kohës ia hoqën të drejtën për të studiuar në Lice apo në Institutin e Arteve.

Hytbi Tarelli u bë një mësues shumë i mirë i matematikës, që nuk hoqi dorë kurrë nga krijimtaria artistike.

Ekspozitën e parë personale e hap në Shkodër, kur sapo kishte mbushur 30 vjet, kohë kur i duhej të mendonte seriozisht edhe për të ardhmen e familjes.

Fillimisht emigrant, artist i rrugës dhe i mermerit në Rodos e në Selanik (Greqi), e më pas përsëri në kërkim të një toke te premtuar.

Në vitin 1997 Hytbiu dhe familja e tij vendosen në Toronto (Kanada), një qytet kozmopolit ku kanë gjetur shtëpinë e dytë mijra shqiptarë nga qytete të ndryshme të vendit.

Sakrificat e Hytbiut në vite shpërblehen, ashtu siç ëndërronte ai.

Bashkë me shkollimin e dy fëmijëve: Erjona në shkencat ekonomike dhe Elisi në artet pamore moderne, për gati 20 vjet artisti autodidakt nga Durrësi tejkalon gjithçka mund të synojë një familjar i mirë larg vendit të origjinës dhe pa e harruar asnjëherë vendlindjen.

Studio “Tarelli Art”në Toronto u bë shumë shpejt një pikë referimi për bashkëatdhetarët që kërkonin të shijonin bashkë me artin edhe motivet shqiptare.

Portretet e artistit Hytbi në bronx, në gur apo edhe në allçi i kushtohen figurave të mëdha të kombit.

Skenderbeu, Nënë Tereza, Ismail Qemali, Isa Boletini, Adem Jashari, Ded Gjon Luli e mbreti ilir Gent, zenë vend në studion e tij, bashkë me artistë të shquar të skenës shqiptare, Inva Mula apo Mirush Kabashi, të cilët vizitojnë herë pas here Toronton.

Pjesmarrës i përhershëm në veprimtaritë atdhetare që organizonte komuniteti shqiptar në Kanada, skulptori dhe piktori Hytbi Tarelli kthehet me veprën e tij në një artist – lajmëtar i atdheut.

Hytbi Tarelli ndërroi jetë në moshën 64-vjeçare më 4 dhjetor 2016.

Dhjetëra letra dhe mesazhe ngushëllimi për familjarët e Hytbiut, nga miqtë e tij kudo në botë janë shprehje e dashurisë për shokun dhe mikun; tregues i respektit për artistin skulptor dhe piktor, për familjarin e mirë, e mbi të gjitha për njeriun atdhetar, që e dëshmoi këtë përmasë kudo që jetoi e punoi në të dy kontinentet.

Kadri Tarelli ka qëmtuar çdo gjë në jetën e vëllait të dashur, ndërsa e ka bërë më të afërt figurën e tij përmes fotove të shumta nga studio e artistit, nga ditët e bukura mes familjarësh dhe miqsh, por edhe nga veprimtaritë e shumta të komunitetit shqiptar në Kanada, atje ku Hytbiu mbylli sytë përgjithmonë.

Shtëpia botuese e Durrësit “Milenium i Ri” ka sjellë në mënyrë dinjitoze librin – album të Kadri Tarellit për vëllain e ndjerë artist.

227 faqet që mbajnë titullin “Hytbi Tarelli, Mjeshtër i daltës dhe penelit” janë gjithashtu një mesazh i dashurisë vëllazërore që nuk shteret kurrë.

Nga G. Kabashi