Familja e Agim Eminit nga Tetova tërheq trupin nga Morgu i Tiranës.
16 gusht 2013- Të afërmit e Agim Eminit thonë se studentja 21-vjeçare, Ana Sulçe, nuk ishte thjesht e dashura e tij, pasi ai kishte qëllime serioze, madje donte të martohej e të krijonte familje me vajzën nga Çorovoda. Edhe pse nuk pranojnë të komentojnë gjerësisht atë çfarë ka ndodhur në Tiranë, sipas tyre ngjarja ka motive xhelozie, pasi vajza ishte fejuar dhe tashmë nuk donte ta vazhdonte më lidhjen me 52-vjeçarin. Disa të afërm të 52-vjeçarit nga Tetova, i cili u vetëvra dy ditë më parë në Tiranë pasi kishte plagosur të dashurën e tij, mbërritën dje në kryeqytet për të tërhequr trupin nga Morgu. Të paktën shtatë persona ndodheshin prej mesditës së djeshme para derës së Mjekësisë Ligjore, bashkë me një makinë të një agjencie funerale që kishin kontraktuar në kryeqytet, në pritje për të marrë trupin e pajetë të të afërmit të tyre. Ata janë ndihmuar nga një mik që Emini kishte në Tiranë, i cili i kishte lënë edhe makinën pas aksidentit që ai bëri pas mbërritjes në Shqipëri. Pasi tentuam disa herë të bisedonim me ta gjatë kohës që po qëndronin para Morgut, asnjëri nga të afërmit e Agim Eminit nuk pranoi të komentonte atë çfarë kishte ndodhur. “Faleminderit për ngushëllimet, por tani kemi halle të tjera”, tha një burrë rreth të dyzetave, që më pas mësuam se ishte djali i xhaxhait të viktimës. Më pas ata janë paraqitur në Ambasadën Maqedonase, ku kanë kërkuar lejen për të kaluar arkivolin me trupin e pajetë të të afërmit të tyre në kufirin e Qafë-Thanës, pasi sot pritet të kryhet ceremonia e varrimit në Tetovë. Burime nga grupi hetimor thanë se Sulçe kishte shkuar disa herë në Maqedoni për shkak të studimeve që ndiqte në një universitet privat në Prishtinë, që ka degë edhe në Tiranë, edhe në Shkup.
FQINJI I VIKTIMES
Mes të afërmve të viktimës Agim Emini, ishte edhe një mik i tij, i cili njëkohësisht ishte fqinji më i afërt në banesën ku ai jetonte bashkë me të ëmën në Tetovë të Maqedonisë. Fillimisht ai ngurron të flasë, por më pas përgjigjet shkurt rreth dy pyetjeve në lidhje me atë çfarë ka ndodhur. Edhe pse nuk pranon të prezantohet, duke u mjaftuar vetëm me aq sa na tregoi në fillim, se e kishte shok dhe fqinj, ai na bën të qartë edhe më shumë, se 52-vjeçari ka pasur një lidhje me vajzën të cilën e plagosi.
Si e morët vesh ngjarjen?
Unë e kam marrë vesh nga njerëzit e Agimit. Ndërsa ata në televizor e kishin mësuar çfarë kishte ndodhur.
Keni ardhur bashkë?
Po, erdhëm të marrim trupin. Do ta varrosim nesër (sot). Më thanë që do vinin në Tiranë dhe u ofrova që të vija edhe unë, pasi e kam pasur mik e komshi.
A ishte i martuar Agimi?
Me sa di unë jo. Dikur herët ka qenë martuar, por u divorcua shumë shpejt dhe nuk pati as fëmijë nga ajo martesë. Jashtë nuk e di, por në Tetovë jo, s’ka qenë.
Po vajzën që e plagosi dje, e njihnit?
Me aq sa më thanë njerëzit e Agimit, vajza kishte qenë edhe te shtëpia e tij në Tetovë, ka qëndruar gjatë. Agimi kishte qëllime serioze me të. Donte të martohej, të krijonte familje. Por, me sa kanë mësuar këta, kishte nisur të xhelozonte, sepse ajo ishte fejuar me një tjetër dhe donte ta ndërpriste lidhjen.
Arma e krimit
Policia e kryeqytetit është duke kryer hetime në lidhje me armën që mbante me vete Agim Emini. Ai ka përdorur një pistoletë për të plagosur partneren e tij dhe më pas, me të njëjtën armë, ka qëlluar edhe veten. Punonjësit e hotelit dhe personat që kanë pasur kontakt me të gjatë qëndrimit në Tiranë, kanë thënë se para ngjarjes nuk kanë konstatuar se 52-vjeçari mbante armë me vete. Një pikë kyçe e hetimit është nëse pistoleta është siguruar prej tij në Tiranë apo ai e kishte marrë me vete nga Maqedonia duke e mbajtur më pas në Shqipëri. Hetuesit thanë se nëse kalimi në kufi ka qenë i rregullt, kontrolli duhej të kishte zbuluar armën që mbante me vete 52-vjeçari.
Takimet
Burimet nga grupi i hetimit kanë pohuar dje se vajza 21-vjeçare nga Çorovoda takohej rregullisht me 52-vjeçarin nga Tetova. Sipas burimeve nga hetimi, në telefonin celular të Agim Eminit janë gjetur thirrje dhe mesazhe të shumta të shkëmbyera me studenten, e cila ndiqte shkollën për Juridik në një universitet privat. Sipas hetuesve, Ana Sulçe ka kryer edhe disa udhëtime në Maqedoni me 52-vjeçarin nga Tetova, me të cilin besohet se është njohur që nga fillimi i këtij viti.
Hetimi
Prokuroria e Tiranës ka bërë të ditur dje se ka nisur hetimet paraprake në lidhje me ngjarjen e ndodhur në hotel. Grupi i hetimit tha se bashkë me policinë po punohet për zbardhjen e ngjarjes ndonëse autori i plagosjes së vajzës ka vdekur dhe, për rrjedhojë, ndjekja penale nuk mund të vazhdojë. Organi i akuzës theksoi se dosja mund të qëndrojë e hapur derisa të sqarohen rrethanat e plagosjes së 21-vjeçares dhe vetëvrasjes së Agim Eminit, i cili qëndronte prej një jave në Tiranë.
Xhelozia
Sipas Policisë dhe Prokurorisë së Tiranës, dyshohet se xhelozia ka qenë motivi i ngjarjes së ndodhur të mërkurën, ku 52-vjeçari nga Tetova ka plagosur të dashurën dhe ka vrarë veten. Pas shumë muajsh të lidhur bashkë gjatë kohës që vajza punoi në Strugë të Maqedonisë dhe qëndroi për studime atje, mësohet se 52-vjeçari kishte mësuar fejesën e vajzës në Shqipëri dhe ishte shfaqur xheloz për këtë fakt.
Udhëtimet e çiftit Shqipëri-Maqedoni
Në fillim të këtij viti, pasi ishin njohur, Agim Emini dhe Ana Sulçe kishin nisur të udhëtonin bashkë jashtë Shqipërisë, në Greqi e Maqedoni. Nga të dhënat në pikën kufitare të Qafë-Thanës, nga ku kanë kaluar bashkë Emini dhe Sulçe, rezulton që 21-vjeçarja ka qëndruar 3 muaj bashkë me të dashurin e saj në Maqedoni. Ata kanë kaluar kufirin bashkë me makinën e Eminit, me targë TE 7725 AB, më datë 7 prill të vitit 2013, në drejtim të Maqedonisë, dhe janë kthyer nga e njëjta pikë në drejtim të Shqipërisë më 11 korrik të vitit 2013. Por janë dokumentuar nga Policia edhe disa lëvizje të tjera jashtë kufijve shqiptarë, që çifti herë bashkë dhe herë të ndarë kanë kaluar për të shkuar te njëri-tjetri. Ndërsa viktima Agim Emini kishte hyrë në Shqipëri më datë 8 gusht dhe ka qëndruar 5 ditë në hotelin ku ndodhi ngjarja në Tiranë.
Sulçe: Ç’ju duhet juve çfarë e kisha unë viktimën?!
Vajza e plagosur, Ana Sulçe, prej paradites së djeshme ka lënë reanimacionin e Spitalit Ushtarak dhe është shtruar në pavijon, pasi sipas mjekëve, gjendja e saj është përmirësuar ndjeshëm dhe e ka kaluar rrezikun për jetën. Ajo është shtruar në dhomën nr. 7, në katin e tretë të kirurgjisë së spitalit, ndërsa përveç të afërmve të saj, në korridor përballë derës qëndrojnë edhe dy punonjës policie të Komisariatit Nr. 1. Të afërmit e saj nuk pranojnë të japin asnjë lloj shpjegimi rreth ngjarjes, përveçse këmbëngulin që ajo çfarë është thënë e shkruar në media nuk është e vërtetë. Ndërsa arrijmë të futemi në dhomën ku ndodhet e shtruar studentja 21-vjeçare, kuptojmë që gjendja e saj shëndetësore është mjaft e mirë, pasi ajo komunikon vazhdimisht me të afërmit e saj. Ndërsa mëson që jemi gazetarë, nuk ngurron të na pyesë se çfarë kërkojmë prej saj. Pyetja e parë që i drejtomë ka të bëjë me njohjen që ajo kishte me viktimën, 52-vjeçarin që vrau veten, duke menduar se e kishte vrarë atë. “Çfarë ju intereson juve se çfarë njohje a lidhje kam unë me të?”. Kjo është përgjigjja e së plagosurës dhe nuk pranoi të thoshte asgjë më shumë. Më pas u interesuam edhe për shëndetin e saj, duke komunikuar me ekipin mjekësor që është kujdesur gjatë dhe pas ndërhyrjes kirurgjikale për heqjen e plumbit. Mësuam se ajo nuk ka më asnjë rrezik për jetën. Mjeku kirurg që e ka operuar atë thotë se vajza është jashtë rrezikut për jetën. “Aktualisht gjendja e pacientes është e stabilizuar dhe nuk ka më asnjë rrezik për jetën. Komplikacionet i ka kaluar dhe tashmë është mirë. Vajza ishte qëlluar me armë zjarri dhe ishte dëmtuar pjesërisht në zorrën e hollë, në zorrën e trashë dhe në një veshkë”, u shpreh mjeku. Ndërsa në dhomën ku ajo mbahet e shtruar hyjnë e dalin vazhdimisht mjekë e infermiere që kujdesen për shëndetin e saj.
/panorama/





