2 efektivë të policisë private qëndronin mëngjesin e sotëm jashtë vilës së kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, e cila mbrëmjen e së hënës u kthye në vendngjarjen e një shpërthimi me eksploziv. Pavarësisht patrullimit të automjeteve të Policisë së Shtetit, duket se kreu i FSHF-së ka marrë masa shtesë për të garantuar sigurinë e familjes së tij, siç e dëshmojnë edhe pamjet filmike të marra nga operatori i “DurrësLajm”, Sokrat Toçi.

Mbrëmjen e së martës u arrestua nga policia e Durrësit autori i dyshuar i ngjarjes, Arlen Hasanaj, banues po në lagjen nr.4.

I riu durrsak, pronar i një biznesi privat në lagjen nr,12 të qytetit, pas arrestimit nga efektivët e policisë ka mohuar të jetë ai pas vendosjes së eksplozivit në portën e jashtme të vilës së familjes Duka.

Në pamjet filmike nga kamerat e sigurisë dallohet një i ri me kapuç që afrohet pranë derës, vendos eksplozivin dhe largohet me vrap dhe vetëm pak sekonda më vonë regjistrohet shpërthimi.

Mbi Hasanajn rëndojnë veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Do të jetë gjykata e Durrësit që do të vendosë mbi masën e sigurisë së 34-vjeçarit, që deri më tani është i dyshuari i vetëm për këtë ngjarje.

34-vjeçari Hasanaj mësohet se nuk ka qenë i skeduar asnjëherë nga policia, ndërsa janë ende mister shkaqet që mund ta kenë shtyrë të vendosë rreth 200 gram eksploziv para derës së vilës, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Në momentin e shpërthimit, në shtëpinë e Armand Dukës ndodhej vetëm gruaja dhe djali i tij.

Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe sigurimin e provave të tjera ligjore.

M.B.