Besian Xhixha, i arrestuar që në qershor të 2021, si pjesë e grupit kriminal që ekzekutoi vëllezërit Besmir e Viktor Haxhia në Durrës, njeriu i cili konsiderohet gjithashtu si një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Nuredin Dumani, këmbëngul që SPAK t’i japë statusin e të penduarit, pasi pretendon se do të rrëfejë krime të tmerrshme të cilat i penduari i drejtësisë i fsheh.
Në një nga seancat e fundit të zhvilluara në gjykatën e Posaçme Kundër korrupsionit e Krimit të Organizuar, për ecurinë e hetimeve për të dyshuarit e operacionit “Plumbi i Artë”. Xhixha e ka ripërsëritur kërkesën për t’u marrë në mbrojtje. Ai ka shkuar edhe më tej, teksa ka deklaruar që nëse, prokuroria do ta kishte marrë dëshminë e tij, nuk do të kishte kaq shumë të vrarë në Fushë Krujë e Fushë Kuqe, mesa duket duke nënkuptuar ekzekutimet mafioze të njerëzve të afërt të Ervis Martinaj dhe zhdukjen pa gjurmë të të shumëkërkuarit të drejtësisë.
Besian Xhixha dhe miku i tij, Enver Diva u arrestuan me urdhër të SPAK më 17 qershor 2021, pasi i penduari i drejtësisë, Klevis Alla i implikonte si bashkëpunëtorë në vrasjen e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në prill të 2020.
Ata akuzohen se kanë siguruar kushtet dhe mjetet për vrasjen e dy vëllezërve, ndërsa kanë qenë të parët e kontraktuar për vrasjen e tyre nga Nuredin Dumani dhe Talo Cela. Plani dështoi pasi Enver Diva u prek nga Covid.
Por pas arrestimit të Nuredin Dumanit, ky i fundit pasi mori statusin e të penduarit e rëndoi situatën penale të Xhixhës, pasi e implikon në krime të tjera të rënda. /BW