Prokuroria e Tiranës kërkon masën e ‘arrestit me burg’ për Qerim Krasniqin, 30-vjeçarin i cili dyshohet për veprën penale të mashtrimit.

Vitin e kaluar ai është njohur me Marjana C., pronare e një hoteli të vogël ku kishte qëndruar si klient. Me atë ka krijuar një marrëdhënie të ngushtë dhe i ka kërkuar para.

Gruaja i ka dhënë fillimisht 50 mijë euro, pastaj 20, derisa sipas saj në total janë bërë 135 mijë euro. Marjana thotë se paratë i ka pasur në bankë pasi kishte shitur një shtëpi.

Ajo i ka kërkuar paratë, por ai nxirrte justifikime nga më të ndryshmet, “jam me Covid”, “jam me oskigjeno- terapi”, “mi ka bllokuar banka”,  etj.

Në shtator 2021, Qerimi ka ndërprerë kontaktet me gruan Marjana C., atëherë ajo ka bërë denoncim. Pas shumë përpjekjesh i ka rivënë kontaktet ne përpjekje për të marrë paratë.

Në janar të vitit 2022 ai s’ka pasur më asnjë lidhje apo komunikim me gruan. Prokuroria e ka shpallur në kërkim dhe ai është ndaluar teksa u paraqit në kufi.

Para hetuesve Qerimi ka thënë që Marjanës i ka marre shumën prej 80 mijë eurosh të cilën e ka investuar në kriptomonedha, por e ka humbur.

Ai flet për një shtetas nga Maqedonia e Veriut, por tregon vetëm emrin, jo të dhëna që të mund të identifikohet.

Sot 30-vjeçari del para gjykatës për masë sigurie.

Hetimi për 30-vjeçarin me vendbanim në Kamenicë ka nisur prej vitit 2021 dhe ka dyshime se veç shumës prej 135 mijë euro, Krasniqi ka përfituar shuma të tjera monetare, nga shtetas të ndryshëm në Republikën e Shqipërisë.