TIRANE, 17 maj 2013– Do të nis vetë lëvizjet për të gjetur vrasësin e bijës sime”. Kështu është shprehur për “Gazeta Shqiptare”, Riza Tafa, babai i balerinës së vrarë në muajin prill të këtij viti në kryeqytet nga një plumb, që në të vërtetë nuk ishte nisur për atë. Dje u bënë plot 40 ditë që nga ndarja nga jeta e 25-vjeçares Sonila Tafa. Për të gjithë të afërmit e saj, por sidomos për babain, motrën dhe nënën e saj, dhimbja nuk është fashitur ende dhe ajo duket në çdo fjalë që ata thonë apo veprim që bëjnë.

Për babain e balerinës, Rizanë, duket se çdo gjë pas vdekjes së saj është bërë e pakuptimtë. Por dhimbja bëhet edhe më e madhe, kur autori i vrasjes nuk është kapur ende nga strukturat e policisë. 57-vjeçari Riza Tafa, lidhur me këtë fakt shprehet shumë i zhgënjyer dhe premton se që tani e tutje do të merret vetë me hetimet e ngjarjes.

“I premtova Sonilës se do të prisja deri sa të bëheshin 40 ditë nga vrasja e saj për të parë se çfarë do të bënte shteti për të gjetur autorin. Tani meqë sot (dje) u bënë 40 ditë nga vdekja e vajzës sime, nuk më mbetet gjë tjetër vetëm që të nis vetë lëvizjet për të gjetur se ku fshihet ai që më vrau vajzën”, rrëfen për ‘GSH’ 57-vjeçari.

Më herët babai i 25-vjeçares, në një intervistë për ‘GSH’ ka kërkuar nga strukturat e shtetit që të arrestohet autori i ngjarjes dhe të vihet para drejtësisë për aktin që ka kryer.

Ngjarja

Në 5 prill në kryeqytet u shënua një ngjarje, ku humbi jetën 25-vjeçarja Sonila Tafa. Balerina ka qenë duke dalë nga lokali ku kishte qenë me miqtë e saj, teksa një plumb rikoshet e ka goditur në kokë duke i marrë jetën. Sonila Tafa humbi jetën pas një konflikti mes një grupi të rinjsh që nuk kishin lidhje me të. Natën kur u vra balerina, në lokalin ku ajo po festonte me shoqërinë e saj, ndodhi një sherr mes dy grupesh të rinjsh.

Pas debatit që kanë bërë në lokal, të rinjtë kanë dalë jashtë dhe kanë vazhduar konfliktin. Më pas truprojat e lokalit kanë larguar dy prej të rinjve, ndërsa pjesën tjetër e kanë futur sërish brenda. Kjo ka mjaftuar që autori i dyshuar i ngjarjes, Artur Kuliçi të largohej nga vendi i ngjarjes dhe të rikthehej me një makinë pa targa dhe të qëllonte me armë në drejtim të hyrjes së lokalit, ku ka qenë duke dalë me shoqërinë e saj 25-vjeçarja Sonila Tafa, e cila për shkak të goditjes që mori ndërroi jetë rrugës për në spital. Ndërkohë, policia nuk ka asnjë gjurmë për autorin e dyshuar të ngjarjes.