4 shkurt 2015 – Babai i Stresit ka deklaruar se nuk ka asnjë dyshim që ngjarja ka prapavijë politike, kjo për shkak të një kënge që Stresi ka bërë kundër kryeministrit Rama. Në një intervistë Sali Lusha është shprehur me bindje se ngjarja nuk është porosi e kryeministrit, por një incident i sajuar nga persona të caktuar në mënyrë që ti bëjnë përshtypje Edi Ramës. Sali Lusha pranon faktin që Stresi nuk është i pajisur me patentë ndërsa sipas tij, fakti që policia shprehet se ai nuk kishte konsumuar alkool është thjeshtë një përpjekje për ti vështirësuar pozitat e tij.
"Siç duket, policia tani nuk do që ti justifikojë veprimet e tij me pijen dhe me faktin që ka qënë nën efektin e alkoolit dhe thotë që nuk ishte i pirë. Në qoftëse djali im ka fryrë te testi i alkoolit dhe nuk ka dalë me pije, atëherë e paskan problemin testet, qenkan të skaduar", ka thënë ai. Teksa të gjithë sjellin versione të ndryshme në lidhje me destinacionin e Stresit, duket se vetë këngëtari kërkon që të argëtohet me policinë, duke dhënë edhe një vend ku ai pretendohet se mund të qëndrojë. Kjo dëshmohet qartë me anë të një fotoje që ka postuar së fundmi reperi në Instagram. Bashkangjitur fotos në fjalë ai ka shkruar: "Shihemi ne Cali … ".
Me anë të këtij mesazhi ai i referohet Kalifornisë në SHBA. Këngëtari prej katër ditësh është në kërkim nga Policia e Shtetit, pasi është arratisur nga Komisariati Nr 3 në Tiranë.





