Aleksandër Ndoka do t’i bashkohej familjes mbrëmjen e kaluar por dora e vrasësit nuk e ka lejuar. Ai është qëlluar nga rreth 2 metra largësi nga autorët që e kanë pritur pranë shtëpisë, në një mur të vjetër, gjysmë të shembur duke mos i lënë kohë të zbriste nga makina.

Burime të sigurta nga policia, bënë me dije për “BalkanWeb” se në trupin e viktimës janë zbrazur 9 deri 11 plumba, çka tregon se shpëtimi për 48-vjeçarin ka qenë i pamundur. Nga ana tjetër gazetarja Klodiana Lala raportoi se në vendin e ngjarjes janë gjetur 14 gëzhoja.

Po kështu burimet mohojnë se është përdorur silenciator për armët. Trupi i tij ndodhet në morg nga ku pritet të dalë edhe raporti mjeko-ligjor për të zbardhur të plotë ngjarjen.

Aleksandër Ndoka, vëllai i ish-deputetit të Lezhës Arben Ndoka, ka tentuar të hapë derën e makinës, por në këtë moment, vrasësit kanë zbrazur armët, duke e lënë të vdekur në vend.