Publikimi i fotove zyrtare që tregojnë Emmanuel Macron duke goditur një thes grushtimi janë pritur me një përzierje lëvdatash dhe tronditjesh në Francë.

Fotot e presidentit francez, të postuara në Instagram të martën nga fotografi i tij zyrtar, Soazig de la Moissonnière, janë bardhezi dhe e tregojnë presidentin me dhëmbë të shtrënguar dhe biceps të fryrë teksa stërvitet.

Përdoruesit e mediave sociale shpejt filluan ta krahasojnë atë me Rocky Balboa, ndërsa të tjerë vunë në pikëpyetje kohën e shfaqjes së fotove, pasi Macron i ka bërë thirrje Evropës që të rrisë reagimin e saj ndaj luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Disa thanë se fotot e tregonin atë duke u përgatitur për t’u përballur me Presidentin Vladimir Putin, i cili nuk është i panjohur për fotosesionet e krijuara për të treguar aftësitë e tij sportive.

Revista e grave Femme Actuelle i përshkroi fotot në mënyrë më lajkatare, duke shkruar se ato tregonin “burrin e Brigitte Macron” me “një vështrim të vendosur, sikur ai dëshiron të bëjë betejë me kundërshtarin e tij.”

Ndërsa disa të tjerë u shprehën të shqetësuar për imazhet. Deputetja franceze Sandrine Rousseau ripostoi një nga fotot me komentin, “Çfarë disfate për progresivizmin. Dhe çfarë varfërie komunikimi politik.”