Këngëtarja e hitit të famshëm “Nothing Compares 2U”, Sinéad O’Connor ka njoftuar lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të të birit adoleshent. 17-vjeçari rezultonte i zhdukur prej dy ditësh, ndërsa sot u mësua se i ka dhënë fund jetës. Këngëtarja e ndau lajmin në rrjetet sociale, duke shkruar se i biri “vendosi t’i japë fund luftës së tij tokësore” dhe kërkoi që “askush të mos ndjekë shembullin e tij”.

Në orët e para të mëngjesit së sotëm, O’Connor shkroi në Twitter:

“Djali im i bukur, Nevi’im Nesta Ali Shane O’Connor, vetë drita e jetës sime, vendosi t’i japë fund luftës së tij tokësore sot dhe tani është me Zotin. U prehtë në paqe dhe askush të mos e ndjekë shembullin e tij. Fëmija im, të dua shumë. Të lutem ji në paqe.”

Shane O’Connor ishte zhdukur që nga e enjtja. Këngëtarja kishte postuar mesazhe të përzemërta në rrjetet sociale duke i kërkuar të birit të kontaktonte me të.

“Shane, jeta jote është e çmuar. Zoti nuk e ka gdhendur atë buzëqeshje të bukur në fytyrën tënde të bukur për asgjë”, shkroi ajo në Twitter. “Bota ime do të shembet pa ty. Ti je zemra ime. Të lutem mos e bëj të ndalojë rrahjet. Të lutem mos e dëmto veten.”