1gusht 2015 – Policia e Shtetit arrestoi dy ditë më parë një grup prej katër personash, ndërsa shpalli në kërkim dy të tjerë. Anduel Kodra, Amaris Kodra, Rrahman Sufa dhe Endri Rustemi janë nën akuzë pasi kanë dërguar një 24-vjeçare për të prostituar në Greqi. Duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë ekonomike, ata e kanë çuar vajzën në ishullin Kos në Greqi, transmeton Mapo. Vetë vajza ka bërë këtë rrëfim përpara grupit hetimor. “Mani (Rrahman Sufa) më tha që do të shkojmë në Greqi te kushërinjtë e tij për të punuar. Unë i kisha thënë edhe familjes sime që kisha një lidhje dashurie me një djalë dhe ia kisha prezantuar edhe prindërve të mi. Të shtëpisë nuk më penguan.
Mora rrobat që më duheshin, sepse në Tiranë jetoja me qira dhe shkuam në Greqi… Unë e besoja sepse e doja. Kurrë nuk ma merrte mendja që do bënte këtë gjë… Më shfrytëzonin sikur të isha kafshë pune. Pasi unë punova ditën e parë si kamariere në një lokal nate, më vonë mora vesh që lokalin e kishin të afërmit e Rrahmanit. Ditën tjetër i dashuri im u largua nga ishulli në drejtim të Athinës dhe unë mbeta me Amaris dhe shtetasit E.F. dhe B.D. që më gjenin klientë, kryesisht shqiptarë, por edhe anglezë… Nuk i denoncova se kisha shumë frikë se mos hakmerreshin ndaj familjes sime. Unë nuk po duroja më, madje piva edhe lëndë helmuese sepse ndjehesha e mashtruar dhe e poshtëruar. Pasi dola nga spitali ia tregova të gjithë historinë prindërve të mi dhe më pas ata bënë denoncimin në polici. Unë kam punuar afërsisht dy muaj, më kanë detyruar të shkoj deri me 10 klientë brenda një nate dhe pjesën më të madhe të parave e mbanin ata, ndërsa për shërbimin që u bëja klientëve merrja deri në 100 euro”..