Tiranë, 27 korrik 2014 – Një vajzë e re është detyruar të braktisë fakultetin, pasi përndiqej dhe dhunohej fizikisht e psiqikisht nga një djalë, i cili i kërkonte me çdo kusht të bëhej e dashura e tij, raporton "Gazeta Shqiptare".

Historia mes Jak N. dhe L.I ka nisur shumë normalisht, pas një njohjeje thuajse të rastësishme në qershor 2013. Pasi është njohur me të atin e vajzës, sjellja e të pandehurit karshi të dashurës ka ndryshuar. 

Ai e ka mbyllur atë brenda katër mureve, mandej ka nisur të ushtrojë dhunë. Vajza ka vendosur të ndahet prej tij, por N. e ka përndjekur hap pas hapi, madje duke kërcënuar dhe familjarët e saj. Policia e ka arrestuar N., por ai edhe nga burgu vazhdonte dhe e shqetësonte L.I, duke e kërcënuar atë dhe të ëmën që të tërhiqte denoncimin. 

Prokuroria ka mbyllur tashmë hetimet dhe i ka dorëzuar gjykatës dosjen penale ndaj Jak N., i cili do të përgjigjet për dy akuza “Përndjekje” dhe “Përdorim me keqdashje të thirrjeve telefonike”. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/