Tre persona janë vënë në pranga në kohë rekord nga policia, pasi njëri prej tyre ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një dyqani në Larushk të Krujës.
Autori kryesor i ngjarjes është Alfred Karaj, 33 vjeç, banues në Nikël, ndërsa dy shokët e tij Arjan (Dorjan) Veshti, 31 vjeç, banues në Kameras dhe Elon Deliu 28 vjeç, banues në Nikël, janë arrestuar për moskallëzim krimi.
“Më datë 05.04.2016, në orët e mbrëmjes, në fshatin Larushk, shtetasi Alfred Karaj, për motive të dobëta (ka qenë në gjendje të dehur), pasagjer në mjetin tip Benz me targa AA 575 LG, në pronësi të tij, ka qëlluar disa herë me armë zjarri tip pistoletë, në drejtim të dyqanit dhe lokalit të shtetasit K.Z. 40 vjeç, banues në Larushk.
Ndërkohë, shtetasit Arjan Veshti (shofer në mjetin tip Benz)dhe Elon Deliu, kanë qenë brenda në makinë kur Alfred Karaj ka qëlluar në drejtim të lokalit dhe dyqanit të shtetasit K.Z. dhe nuk kanë njoftuar pranë shërbimeve përkatëse për kryerjen e kësaj vepre penale”, njofton policia e Durrësit.
Në vendngjarje, u gjetën 7 gëzhoja model 54, kalibri 7.62 mm dhe një këmishë predhe fisheku luftarak e dëmtuar.
Si pasojë, ka vetëm dëme materiale dhe lokali ka qenë i mbyllur në momentin e ngjarjes.