Policia ka arrestuar ditën e sotme një 66-vjeçar nga fshati Shkozë në Pukë, pasi akuzohet për “Prishje të qetësisë publike”. Nikoll Prendi, në gjendje të dehur, ka marrë një armë zjarri kallashknikov mbrëmjem e djeshme, dhe gjatë gjithë natës ka qëlluar në ajër, duke terrorizuar banorët e zonës.

Policia e Pukës njofton se rreth orës 00.35 ka shkuar menjëherë në vendngjarje, ku ka konstatuar se në oborrin e banesës së tij shtetasi Nikoll Prendi po gjuante me armë zjarri në ajër.

Shërbimet e Policisë Pukë pasi kanë vlerësuar situatën, kanë kërkuar ndihmën e forcave të Repartit FNSH Shkodër, për ndërhyrje, ku deri në mbërritjen e tyre është mbajtur në vëzhgim të pandërprerë banesa dhe personi.

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë mbërritur menjëherë ku kanë bërë rrethimin në një perimetër më të ngushtë duke marrë masa sigurie për efektivët.

Edhe pas thirrjeve të policisë, shtetasi Nikoll Prendi ka vijuar të qëllojë në ajër.

Rreth orës 07:15, në kushtet e ndriçimit të plotë është bërë i mundur arrestimi në flagrancë i tij.

Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, gëzhoja, një armë zjarri kallashnikov dhe dy arka me rreth 1400 fishekë luftarakë.