Një 59-vjeçar me rrezikshmëri shoqërore është vënë në pranga nga policia në Tiranë. Policia bën me dije se i arrestuari u prangos pas ndjekjes së mjetit të tij tip “Audi Q5” në autostradën “Tiranë–Elbasan”. Ai tentoi të arratisej por pa sukses ku më pas u prangos.

59-vjeçari është identifikuar si Ilir Koçiaj. Ai rezulton i dënuar nga Gjykata e Firences me 18 vite burg për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të një organizate kriminale. Ai mësohet se është kreu i bandës së drogës.

Njoftimi:

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Hierarkia”. Kapet kreu i një organizate kriminale ndërkombëtare, shtetas me rrezikshmëri shoqërore, i dënuar me 18 vjet burgim. 59-vjeçari tentoi t’iu ikte shërbimeve të Policisë, me një automjet tip “Audi Q5” që u sekuestrua nga Policia.

Si rezultat i një pune të mirorganziuar informative dhe operacionale, shërbimet e Seksionit të Kërkimit të Sektorit të Forcës së Posaçme për Operacione Speciale dhe Kërkime, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan me sukses operacionin “Hierarkia”, gjatë të cilit u vu në pranga shtetasi:

-Ilir Kociaj (Koçiaj), 59 vjeç. 59-vjeçari, u kap në flagrancë teksa tentonte të largohej me automjetin e tij, në autostradën “Tiranë–Elbasan”. Shtetasi Ilir Kociaj (Koçiaj) ishte shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë për njohjen e vendimit të Gjykatës së Firences, Itali, që e dënon atë me 18 vite burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të një organizate kriminale. 59-vjeçari iu dorëzua Policisë së Elbasanit, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme.