Policia e Shtetit ka arrestuar në Tiranë një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”.

Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve dhe koordinimit me homologët italianë, përmes specialistëve të Interpol Tiranës, u bë i mundur arrestimi provizor me qëllim ekstradimin në Itali i shtetasit Bledar Barsan, 32 vjeç.

Sipas Policisë, Gjykata e Ankonës e ka dënuar 32-vjeçarin me 8 vjet, 11 muaj e 10 ditë burgim për veprat penale plagosje, kundërshtim të punonjësit të Policisë dhe vjedhje, sipas legjislacionit penal italian. Pas arrestimit në Tiranë, autoritetet shqiptare kanë nisur procedurat për dorëzimin e tij tek drejtësia italiane.

Ndërkohë, Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Romën për finalizimin e procedurave të ekstradimit të 32-vjeçarit drejt Italisë.