DURRËS, 13 mars 2013 – Seksioni kundër drogës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës ka ndaluar punonjësin e burgut të Durrësit, Bajram Dervishi. 54 vjeç, banues në lagjen nr.8 në Durrës.

Dervishi është dënuar në Itali, nga gjykata e Apelit e Napolit me 7 vite burg për veprën penale trafik lëndësh narkotike në bashkëpunim. Burime të policisë së Durrësit bëjnë të ditur se për shtetasin Bajram Dervishi autoritetet italiane të drejtësisë kanë lëshuar urdhër arresti, për veprën penale të përmenduar më sipër. Shërbimi i kontrollit të brendshëm në burgje dispononte të dhëna të sigurta se Dervishi ishte dënuar më shumë se një herë në Itali për të njëjtat vepra penale. 

Arrestimi i punonjësit të burgjeve në Durrës u realizua në bashkëpunim me Interpol Tiranën, pasi punonjësi i rendit ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Bëhet e ditur se Dervishit i kanë mbetur ende për të vuajtur edhe 6.8 vjet burg. Pritet që së shpejti ai të ekstradohet drejt Italisë ku do të vuajë pjesën e mbetur të dënimit.