Një i dënuar për një sërë veprash të rënda penale është futur në regjimin 41 bis me urdhër të Ministrit të Drejtësisë. Klement Çala është një nga të dënuarit për grabitjen e Rinasit, ku në 9 Prill 2019 banda e armatosur arriti të rrëmbejë 4.6 milionë euro.
Njoftimi:
Në zbatim të urdhrit të Ministrit të Drejtësisë nr. 639, datë 17.12.2024, i burgosuri Klement Çala është transferuar në regjimin e posaçëm të ushtrimit të të drejtave në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale të sigurisë së lartë. Masa është marrë pas një vlerësimi të hollësishëm nga autoritetet përgjegjëse, duke pasur parasysh rrezikshmërinë e lartë të të dënuarit.
Klement Çala është dënuar me disa vendime gjyqësore të formës së prerë për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë:
- “Vjedhje me armë”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal;
- “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve dhe municioneve”;
- “Grup i strukturuar kriminal”;
- “Falsifikim i dokumenteve”;
- “Vrasje në rrethana të tjera të cilësuara”, ndaj punonjësve të policisë e mbetur në tentativë”, e kryer në bashkëpunim;
- “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”;
- “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.
Për këto vepra penale, i burgosuri është dënuar me 20, 25 dhe 5 vite burgim, sipas vendimeve të Gjykatës së Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar dhe Gjykatave të tjera përkatëse.