30korrik 2015 – I arrestuari i djeshëm në Shkodër, Osman Malja, 21 vjeç, ishte porositur nga burgu për të vrarë një mjek të spitalit. Policia zbardhi detaje të ngjarjes së rëndë, të parandaluar në kohë. “Ky shtetas mbahej nën vëzhgim prej disa kohësh nga policia, e cila kishte në kontroll të plotë lëvizjet dhe veprimtarinë e tij për vrasjen e porositur të mjekut A.T. Forcat e Specializuara të Policisë kanë ndërhyrjes duke neutralizuar dhe arrestuar autorin në momentin që ky tentoi të hapë zjarr në drejtim të objektit të sulmit (mjekut A.T) me armën e tij tip kallashnikov të kamufluar në një çantë sporti. Në momentin e ndërhyrjes, autori ka tentuar të reagojë edhe ndaj forcave policore por kjo është bërë e pamundur falë veprimeve të shpejta policore në neutralizimin dhe arrestimin e tij”, bëri të ditur policia.
Gjatë këtij operacioni autori Osman Malja ka mbetur i plagosur dhe aktualisht pas ndihmës mjekësore të dhënë, është jashtë rreziku për jetën.
Nga kryerja e veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasi Osman Malja kishte si qëllim vrasjen e një mjeku në Spitalin Rajonal Shkodër (mjekun A.T).
Kjo vrasje ishte e porositur nga burgu, nga shtetasi Eljon (Esmeraldo) Hato 31 vjeç, i cili ndodhet i arrestuar në ambjentet e I.E.V.P. Lezhë, për “Vrasje”. Hato akuzohet se ka qëlluar një vit më parë një të ri, ndërsa pinin në një lokal.
Policia po heton nëse porosia për krimin lidhet me ngjarjen e ndodhur një vit më parë apo me ndonjë tjetër episod.
I burgosuri do të merret në pyetje për të mësuar për shkaqet e atentatit me pagesë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/