Një i burgosur në burgun e Krujës ka tentuar të vrasë veten këtë të hënë. Burimet thanë se ai është identifikuar si Tomor Zeqo, 48 vjec dhe ka tentuar të vetëvaret me çarçaf.

Sipas “Oranews”, ai ndodhej në burgun e Zaharisë dhe vuan nga probleme të shëndetit mendor.

NGJARJA

Tomorr Zeqo, nga Ura Vajgurore e Beratit, akuzohet se mesnatën duke u gdhirë data 4 gusht 2014, ka dhunuar fizikisht bashkëshorten e tij, Mimozën, dhe e ka detyruar të pijë fostoksinë. Krimi ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve familjare, me bazë dyshimin e tradhtisë bashkëshortore.

Nga hetimet e Prokurorisë, ka rezultuar se i pandehuri e ka detyruar të shoqen e tij, Mimozën, të pijë lëndën helmuese rreth orës 2 pas mesnate dhe, pavarësisht kërkesave të saj për ta dërguar në spital, ai nuk ka pranuar t’i jepte asnjë ndihmë deri në orën 06:00 të mëngjesit.

Në këtë kohë, ai ka njoftuar të afërmit se bashkëshortja e tij është sëmurë, me qëllim për ta dërguar në spital. Prokuroria bën me dije se rreth orës 07:00 të mëngjesit, në spital kanë shkuar edhe familjarët e Mimozës, e cila u ka treguar se gjendja e saj ishte pasojë e dhunës fizike dhe fakti që ishte e detyruar të pinte lëndë helmuese nga bashkëshorti. Pas rreth gjysmë ore nga ky rrëfim, rreth orës 7:30 të mëngjesit, ajo ka vdekur si pasojë e helmimit.