ELBASAN, 25 shkurt 2013-  I dënuari me burgim të përjetshëm për kryerjen e disa veprave penale në vitin 1997, Dritan Kateshi ka marrë pjesë në fundjavë në funeralin e babait të tij, Sefedin Kateshi, i cili u nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë. 

Kateshi nën masa të jashtëzakonshme sigurie ka qenë i pranishëm në familjen e tij në lagjen "5 maji", në Elbasan dhe më pas ka marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të të atit. 

Me dhjetëra efektivë dhe mjete policore kanë bërë shoqërimin e tij për gjatë dy orëve të lejes që kishte lëshuar ndaj Kateshit Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Dritan Kateshi, një nga kapot e bandave të vitit 1997, i akuzuar për grabitje e vrasje, kërkoi vite më parë lirimin me kusht, por si i dënuar me burgim të përjetshëm, gjykata e hodhi poshtë kërkesën e tij.