Dëshmia e Nuredin Dumanit mbi ngjarjet kriminale në vend ka hapur dosje të vjetra të botës së krimit dhe zbardhjen me detaje për vrasje të ndodhura, mes të cilëve dhe bosëve të njohur.

Në dosjen e siguruar nga gazetarja Klodiana Lala, rezulton se Dumani ka treguar hetuesve detaje nga vrasja e Elvis Dedajt, më 5 qershor të 2012, në “Shkëmbin e Kavajës”.

I lindur në Kavajë dhe banues në Durrës, Dedaj u njoh dy vite para se t’i bëhej atentat me Festim Qolin. Ata shpejt do të bëheshin ortakë dhe në bashkëpunim, kanë blerë karburantin “Clasik” në lagjen 14 në Durrës. Qoli, zotëron 49 % të aksioneve, ndërsa nëna e Dedajt, Fatmire Habili 51 %. Rezulton se Qoli dhe Dedaj kanë pasur edhe prona të tjera të përbashkëta, por gjatë vitit 2011-2012 Elbisi ka kërkuar të marrë pjesën e tij, ndaj dhe kanë filluar veprimet për të ndarë pronat. Pikërisht, këtu ka lindur dhe konflikti mes tyre. Ata janë takuar dhe biseduar për problemin që kishin në zonën e Shkëmbit të Kavajës, ndërsa gjatë gjithë kohës, siç thekson dosja, Dedaj mbante me vete pistoletë me një fishek në fole.

Dosja tregon dhe të gjithë itinerarin që ka ndjekur i ndjeri. Në orën 10:00 të datës 5 qershor 2012, Elvis Dedaj është nisur nga Durrësi në Tiranë, ku ka dërguar në shkollë të fejuarën e tij që kishte provim. Pas këtij veprimi ata janë kthyer në Durrës. Rreth orës 15:30, Elvisi ka shkuar përsëri në Shkëmbin e Kavajës dhe në rrugën dytësore Golem-Plepa, ka parkuar makinën pranë një karburanti dhe ka shkuar në këmbë në një zonë që ende nuk dihet.

Pak minuta më pas ai kthehet sërish në makinë dhe sapo ka ecur 80 metra, i është bërë pritë nga dy persona, pasi në dosje thuhet se në vendngjarje janë gjetur gëzhoja të dala nga dy armë të ndryshme.

Nga hetimet e kryera nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, është konkluduar se vrasja është kryer ndërmjet orës 17:40 deri në 17:46 minuta të datës 05.06.2012. Në orën 18:35 minuta, është marrë informacion nga policia së në zonën e quajtur “Kodër” në fshatin Arapaj-Durrës në një ish pikë ushtarake kundër-ajrore ishte duke u djegur një automjet. Për këtë rast menjëherë janë kryer veprimet si një ngjarje që kishte lidhje me vrasjen e shtetasit Elvis Dedaj ku në bazë të deklarimeve të marra ka rezultuar se autorët mbasi kanë djegur automjetin janë larguar fillimisht në këmbë në drejtimin të rrugës kryesore me drejtimin Plepa–Durrës–Kryqëzimi i fshatit Pjeze.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se automjeti ishte i vjedhur në qytetin e Tiranës. Targat kanë rezultuar të vjedhura në Prishtinë-Kosovë. Dyshohet se ky automjet është përdorur për vrasjen e shtetasit Dedaj. Nga informacionet e marra dyshohet se automjeti mund të jetë djegur rreth orës 18:05 deri në orën 18:15 min, ndërsa njoftimi për djegien e tij është bërë në orën 18:35 të datës 05.06.2012, pra menjëherë pas kryerjes së vrasjes së shtetasit Elvis Dedaj. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale 3 copë tre copë gëzhoja të kalibrit 7.62 mm, dhe 1 gëzhojë e kalibrit 7.65mm të cilat janë dërguar për ekspertim të mëtejshëm pranë Drejtorisë së Policisë Shkencore Tiranë. Në trupin e viktimës Elvis
Dedaj u konstatuan 6 plagë me armë zjarri, vetëm me vrima hyrje si dhe një plagë tej shkuese në kokë me mbetje të trupit të huaj nën lëkurën e kokës. Nga ana e organit procedues, janë këqyrur dhe marrë pamjet filmike të disa kamerave të sigurisë të lokaleve dhe bizneseve, në vendin ku është vrarë me armë zjarri, shtetasi Elvis Dedaj, si dhe gjatë rrugës që dyshohet së është përshkruar nga autorët menjëherë pas kryerjes së veprës penale. Nga akti i ekspertimit teknik video-foto, datë 06.03.2013, ka rezultuar ndër të tjera me rëndësi se:

“Në regjistrimet filmike të kryera nga telekamerat e sigurisë të Hotel “Bleart” të ruajtura në dy “CD”, objekt ekspertimi, në orën 15:18:25 të datës 05.06.201, u konstatua një automjet i ngjashëm me automjetin BMV sipas fotografive të tabelës fotografike më datë 21.06.2012, si dhe në orën 15:18:29 të datës 05.06.2012, u konstatua një automjet i ngjashëm me automjetin “Mitsubish Pajero” sipas tabelës fotografike të datës 05.06.2012. Të dy automjetet e konstatuara lëviznin me drejtim Durrës-Kavajë, por nuk u bë e mundur përcaktimi i targave të tyre. Menjëherë pas ngjarjes është proceduar me përgjimin e disa numrave të telefonit të personave të dyshuar si autorë të mundshëm të veprës penale. Për nevojat e hetimit, janë kërkuar të dhënat analitike të telefonatave hyrëse–dalëse (tabulatet), si dhe të dhënat teknike lidhur me numrat e qelizave, vendndodhjen e tyre, konturet e territorit që mbulojnë, të përdorura (shfrytëzuara), për çdo bisedë për periudhën kohore te Janar – Qershor të viti 2012, për disa numra telefoni celularë. Të dhënat e kërkuara kompanive celulare janë të përqendruara kryesisht prej datës 20.05.2012 deri në datën 06.06.2012 për tabulatet telefonike të numrave dhe logimet e bëra nga antenat që mbulojnë vendet e ngjarjes janë përqendruar nga ora 15:00 deri në orën 19:00 të datës 05.06.2012.Të dhënat e marra nga kompanitë telefonike celulare janë dërguar disa herë për kryerjen e analizës të tabulateve telefonike pranë Sektorit të Analizës së Informacionit Kriminal në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në Tiranë. Pas kryerjes së disa analizave, është vendosur kryerja e një eksperimenti hetimor duke përdorur një numër të kompanisë celulare “Eagle” si dhe një numër të kompanisë celulare “Vodafone” në vendin e ngjarjes dhe zonën përreth në mënyrë që të përcaktohet vendndodhjen konkrete të personit te dyshuar, shtetasit Festim Qoli që ka përdorur numrin e telefonit 0674088050, bisedat dhe komunikimet e tij me persona të tjerë të dyshuar që mund të jenë bashkëpunëtor në vrasje, që kanë përdorur numra të kompanisë “Vodafone”, vendndodhjet konkrete të tyre veçanërisht në orën e vrasjes si dhe të djegies së automjetit të përdorur në vrasje.

Ky eksperiment hetimor është kryer me numra telefonike të kompanisë “Vodafone” dhe “Eagle”, ku dy oficere të policisë gjyqësore kanë kryer telefonata të njëpasnjëshme në vende të ndryshme duke filluar nga vendi i ngjarjes (vrasjes së shtetasit Elvis Dedaj) dhe përreth tij dhe rrugën që kanë ndjekur autorët deri në djegien e automjetit me të cilin është realizuar vrasja. Telefonatat janë kryer për rreth 15–20 sekonda duke u kryer sa telefonata të njëpasnjëshme në një vend të caktuar.

Kështu nga eksperimenti hetimor ka rezultuar e provuar se numri i telefonit 0674088050 përdorur nga personi i dyshuar, Festim Qoli, është loguar para vrasjes së të ndjerit Elvis Dedaj, shumë pranë vendit të ngjarjes gjithashtu është loguar dhe në vendin fshatin “Pjeze” ku mendohet te jetë djegur automjeti pas vrasjes. Në datën 7.5.2014, është organizuar puna, ku është bërë e mundur shoqërimi në ambientet Policisë Durrës, të shtetasve Festim Qoli, (i cili gjatë gjithë kësaj kohe qëndronte i fshehur) si dhe disa shtetas të tjerë Eduart Serjani, Agim Gjini dhe Briand Muça. Këta shtetas janë marrë në pyetje në mënyre të hollësishme në lidhje me vrasjen e shtetasit Elvis Dedaj. Në lidhje me këtë procedim, janë marrë deklarimet e shtetasit Festim Qoli i cili shprehet se shtetasin Elvis Dedaj e kishte njohur në vitet 1995–1996 në Milano, Itali. Ky shtetas deklaron se para rrëmujave te vitit 1997, ishte kthyer në Shqipëri por i kishte ruajtur marrëdhëniet me shtetasin Elvis. Sipas shtetasit Festim Qoli, Elvisi është arrestuar nga policia italiane 1999–2000 ku ka bërë disa vite burg si dhe nga policia belge në vitet 2006 – 2007. Më pas, Elvisi është kthyer në Shqipëri, ku ka filluar të shoqërohej me shtetasin Festim Qoli.

Kështu shtetasi Festim Qoli deklaron se i ka marrë hua Elvisit një shumë prej 70.000 eurosh, ky duke qenë se nuk kishte mundësi t’ja shlyente, i kishte ofruar që t’i jepte në këmbim aksionet e karburantit, stacionuar në lagjen nr.14, Shkozet, Durrës. Shtetasi Festim deklaron se Elvisin e kishte shokë të ngushtë, por marrëdhëniet e tyre ishin ftohur, kur Elvisi i kishte treguar që dëshironte të martohej me një vajze, të cilën Festimi pretendon ta kishte pasur të dashur para se ta njihte Elvisi. Shtetasi Festim deklaron se shoqërohej me Elvisin çdo ditë, dhe një ditë para vrasjes, me datë 4.6.2012, kishin qenë bashkë duke pirë në një lokal në plazhit Durrës deri rreth orës 01:00. Sipas Festimit, Elvisi, i ishte dukur i shqetësuar, por nuk i kishte treguar shkakun se përse ishte në atë gjendje. Shtetasi Festim deklaron se Elvisi jetonte në një apartament ngjitur me lokalin “Pampas”, Shkëmbi i Kavajës, Durrës. Shtetasi Festim Qoli ka deklaruar se pas kësaj vrasje kishte qëndruar për një kohë i fshehur pasi kishte dëgjuar se të afërm të Elvisit kishin vajtur me armë në pikën e karburantit duke e kërkuar Festimin për t’u hakmarrë në lidhje me vrasjen e Elvisit. Shtetasi Festim Qoli deklaron se nuk ishte ai autor i vrasjes së shtetasit Elvis Dedaj.

Nga deklarimet e nënës së shtetasit Elvis Dedaj, të ndjerës Fatmira Habili, rezulton se kjo shtetase kishte dyshime te forta, se autor i vrasjes së djalit te saj, ishte shtetasi Festim Qoli. Këta shtetas kishin qenë shokë të ngushtë, por pikërisht dëshira e Elvisit për të ndarë pasuritë dhe bizneset në bashkëpronësi, kishte qenë shkaku i lindjes së konflikteve dhe mosmarrëveshjeve. Nga hetimet ka rezultuar se numri 0674088050 i përdorur nga shtetasi Festim Qoli ka komunikuar në telefon para dhe pas vrasjes së të ndjerit Elvis Dedaj me numrat ++37744777777 dhe ++37744201833, numra këto që përdoren në Republikën e Kosovës.

Nga hetimi ka rezultuar se autorët e vrasjes së shtetasit Elvis Dedaj kanë qarkulluar me një automjet tip “Mitsubishi” me targa të Republikës së Kosovës 01 731 FB. Nga hetimet ka rezultuar se automjeti tip “Mitsubishi” është vjedhur disa ditë më parë në qytetin e Tiranës ndërsa targat e Republikës së Kosovës 01 731 FB i përkasin automjetit tip “Peugeot” me numër shasie VF32A8HZF44545009 ngjyrë gri e cila është vjedhur në Prishtinë më datë 01.06.2012, rreth orës 19:30. Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se shtetasi Festim Qoli më datë 01.06.2012, në orën 01:24, ka hyrë në territorin e Republikës së Kosovës, dhe po më datë 01.06.2012, në orën 22.06, ka dalë nga territori i Republikës së Kosovës, duke hyr në Shqipëri. Ndërsa numrat celular ++37744777777 dhe ++37744201833 janë loguar në vende të ndryshme brenda territorit të Republikës së Shqipërisë para vrasjes së shtetasit Elvis Dedaj dhe kanë komunikuar me shtetasin Festim Qoli. Lidhur me këtë çështje Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës ka dërguar letër-porosi më datë 18.03.2013 autoriteteve të Kosovës. Ndërkaq, prokurori me vendimin e datës 25 Maj 2015 lidhur me këtë çështje ka vendosur “Pezullimin e procedimit penal nr.857, të vitit 2012…”, thuhet ndër të në dosjen hetimore.

Ndërkohë, Dumani ka treguar në dëshminë e tij detaje nga vrasja e nënës së Dedajt, Fatmies.

“Në fund të vitit 2012 ose fillim 2013 (nuk jam i sigurt), në lagjjen 14 ku unë jetoja në qytetin e Durrësit, ishte një person i cili kishte emër dhe reputacion, quhej Festim Qoli. Ai kishte reputacion pasi ka shumë para dhe biznese. Festimi ka pasur një karburant në Shkozet afër Urës së Dajlanit që e ka shitur në vitin 2020. Ka gjithashtu një godinë tre katëshe në zonën e njohur si Nishtulla, në të cilin ka aktivitet Bar Kafe “Spiranca”, ushqimore me shumicë edhe një restorant dasmash. Takoheshim gjithmonë tek lokali i tij që ishte në lagjje. Shkurt e thërrisnim Festa. Si pikë takimi ishte Bar “Spiranca”. Aty u njoha me Festimin, kisha pasur një konflikt më parë me Festim Qolin dhe kushërinjtë e tij pasi i kisha rrahur kushërinjtë. Më pas u bëmë shokë së bashku. Një ditë ishim duke bërë palestër, tek palestra e Festimit brenda kompleksit të tij, po diskutonim për ngjarjen që ishte vrarë Deda, që akuzohej Festim Qoli i cili e kishte mbyllur çështjen duke më thënë se vetëm këtyre “qenve” këtu në Durrës ju kam dhënë 200.000 Euro.

Këtë e dija se ishte bërë publike. E kam dëgjuar edhe nga njerëz të tjerë që thonin se e ka bërë ai Festo, por unë nuk kisha folur me Feston. Më pas kur krijova relata më të ngushta me Festimin u njoha edhe me Henrik Hoxhën aty e mora vesh tamam që në vrasjen e Dedës ka qenë Festimi vetë dhe Henriku. Këtë ma pohuan të dy. Festim ka qenë shofer i automjetit që kanë përdorur për të ekzekutuar Ervisin ndërsa ekzekutori ka qenë Henriku me armë automatike.

Festimi ishte 6 muaj në kërkim më pas u kthye. E dinin të gjithë që ishte në kërkim pasi edhe shteti vinte e kërkonte te shtëpia, madje kur erdhi policia që ta merrte në shtëpi kam qenë në lagjje pasi ai shtëpinë e ka te kafja e lagjes dhe mesa mbaj mend e morën me një makinë ML jo me makinë policie. Një ditë kur unë, Festimi dhe Henriku po pinim të tre bashkë alkool dhe kokainë, gjatë diskutimeve duke u mburrur për ngjarjet që ne kishim bërë, ata më treguan sesi e kishin realizuar vrasjen e Elvis Dedaj. Ditën e ngjarjes ata kanë qenë duke pirë një një lokal anës rrugës së Kënetës në të cilën ka kioska që pjekin mish. Kanë qenë në pritje të informacionit se ku ndodhej Elvisi. Vendin ku ndodhej Elvisi, Festo e ka mësuar nga….ka qenë duke ngrënë drekë së bashku me Elvisin në një restorant në rrugën dytësore pranë Shkëmbit të Kavajës…Festo më ka treguar se e ka pyetur vetë Elvisin me telefon se ku ndodhet? Kjo sipas Festos ka dalë edhe nga hetimet.

Pasi Elvisi është ngritur nga tavolina ka shkuar në makinë për t’u larguar, në atë moment Festimi me Henrikun kanë qenë duke e pritur. Sapo Elvisi është futur në makinë ka shkuar Henriku dhe e ka qëlluar me armë. Pas ngjarjes janë larguar me makinën Mitsubishi L200, të cilën e kanë djegur në Kodër Arapaj. Nga djegia e makinës Festimi ka djegur vetullat dhe fytyrën”, thotë Dumani në dëshminë e tij.