Personi që takoi i fundit ekstremistin grek Konstandin Kacifas para se të vritej nga RENEA ishte një bari i zonës në Bularat të Gjirokastrës. Në një prononcim për mediat greke, ai tregon takimin e fundit me 35-vjeçarin, ndërsa e përshkruan shkëmbimin e zjarrit mes Kaçifas e policisë si luftë dhe shton se fatmirësisht shpëtoi pa u lënduar.

"Konstandinin e pashë, biseduam, u ulëm dhe i dhashë ujë. Pastaj i dhashë xhupin sepse ishte ftohtë. Ai ishte i qetë. Më pas shkova te delet dhe e humba nga sytë, ai u zhduk. Pashë helikopterin dhe fatmirësisht nuk mora ndonjë plumb, ishte një luftë e madhe", tha bariu në Bularat.

Konstandin Kaçifas u vra nga RENEA ditën e diel pas shkëmbimit të zjarrit me policinë, pasi nuk pranoi që të dorëzohej. Ai fillimisht hapi zjarr ndaj policisë lokale në Gjirokastër më pas u arratis në malin e Bularatit ku u vra.

Ngjarja ka shkaktuar tension mes Shqipërisë dhe Greqisë, ndërsa trupi i ekstremistit ndodhet në morgun e QSUT në Tiranë për ekspertizë të detajuar. Pala greke ka kërkuar drejtësi, ndërsa ditën e hënë do të vijnë një oficer i policisë dhe një zyrtar i ministrisë së Jashtme për të marrë informacion në policinë shqiptare.