Policia ka zbardhur djegien e qëllimshme të një automjeti, ngjarje e ndodhur dy ditë më parë në rrugën “Theodhori Bej” në Tiranë.

Policia identifikoi dhe arrestoi shtetasin L. H., 28 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar se dogji automjetin tip “Peugeot” në pronësi të shtetases M. T., 26 vjeçe, në orët e para të datës 6 mars.

Sipas hetimeve, djegia ka ndodhur për motive të dobëta, si pasojë e një konflikti të mëparshëm me një familjar të saj.

Njoftimi: 

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Fire Trail”.  Zbardhet djegia e qëllimshme e një automjeti, ndodhur dy ditë më parë.

Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 28-vjeçari që dyshohet se dogji automjetin e një 26-vjeçare, në orët e para të datës 06.03.2026 në rrugën “Theodhori Bej”, për motive të dobëta.

Menjëherë pas njoftimit se rreth orës 02:00, të datës 06.03.2026, në rrugën “Theodhori Bej”, ishte djegur automjeti tip “Peugeot” në pronësi te shtetases M. T., 26 vjeçe, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 organizuan punën për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorin/ët e rastit, si dhe për të zbardhur rrethanat.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, të kryera në kuadër të operacionit “Fire Trail”, u identifikua dhe u arrestua autori i dyshuar i rastit, shtetasi L. H., 28 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se e ka kryer këtë krim, për motive të dobëta, për shkak të një konflikt të mëparshëm me një familjar të saj.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime te mëtejshme.