Pak orë më parë, drejtoresha e komunikimit pranë Komisionit të Rithemelimit, Floriana Garo, lexoi një listë të gjatë me 421 emra kandidatësh për t’u bërë pjesë e Këshillit Kombëtar, votimet për të cilin do të zhvillohen gjatë Kuvendit, që mbahet nesër (e shtunë).
Mes emrave garues ishte dhe Pëllumb Berisha, nënkryetari i PD Durrës.
Në një komunikim që Berisha pati me “DurrësLajm” deklaroi se kishte kontaktuar me deputetin Edi Paloka për të hequr emrin e tij nga lista, sepse ai është aktualisht prej mëse një viti pjesë e Këshillit Kombëtar të PD-së zyrtare.
“Përgjatë gjithë kësaj kohe, unë nuk jam bërë pjesë e asnjë procesi zgjedhjeje që Komisioni i Rithemelimit ka bërë në Durrës kohët e fundit. Prandaj kërkova heqjen e emrit nga lista, për më tepër që vazhdoj të jem pjesë e Këshillit Kombëtar zyrtar”,- tha Berisha.
Pas komunikimit me Palokën, emri i Berishës nuk shfaqet më në listën e re të kandidatëve për Këshillin Kombëtar, të publikuar nga Komisioni i Rithemelimit.
Duket se Kuvendi i ditës së nesërme, që pritej të ishte një kongres bashkimi, nuk do të arrijë të unifikojë të gjithë demokratët. Ndarjet mes mbështetësve të Bashës dhe Berishës vijojnë të mbeten prezente. Vetëm dy ditë më parë, ish-kreu i demokratëve, Lulzim Basha zhvilloi një takim në një lokal në qendër të Durrësit me mbështetës të tij, ndërkohë që të shtunën e kaluar, Komisioni i Rithemelimit në Durrës mbajti zgjedhjet për kryetar dege, nga i cili u shpall fitues Igli Cara.