Makina e famshme Audi e verdhë është gjetur e shkrumbuar nga flakët në zonën e Treviso-s, ndërsa tre personat që kërkohen nga policia, janë ende në arrati.

Tre banditët më të kërkuar në Itali për momentin, që sipas policisë italiane dyshohet se janë shqiptarë, i kanë vënë zjarrin makinës super të shpejtë duke djegur kështu çdo gjurmë.

Në vendngjarje mbërritën zjarrfikësit dhe karabinierët të cilët konstatuan se makina e shkrumbuar nga flakët është ajo që u vodh në Milano, dhjetorin e kaluar, me të cilën tre persona, kryejnë grabitje dhe largohen me shpejtësi marramendëse. Kjo makinë arrinte një shpejtësi deri në 300 km/orë dhe pikërisht prej kësaj, policia e vendit fqinj nuk ka arritur ende që t'i kapë.