TIRANE, 02 mars 2013– I fejuari i zëdhënëses së PD-së, Gerald Shahu, ish-Mister Albana, i telefonuar nga gazeta “Panorama”, ka konfirmuar takimin me kryetarin opozitar Rama, njësoj si e fejuara e tij Laura. Geraldi nuk ka dashur të japë shumë detaje, por pohoi se është takuar me Ramën dhe bashkëshorten e tij Linda në Aeroportin e Milanos dhe kanë biseduar. Me kaq e mbyll bisedën me ne.

Gjatë emisionit “Opinion” të Blendi Fevziut këtë të enjte, Edi Rama surprizoi teksa mbas inserteve ku Laura akuzonte Ramën, ky i fundit rrëfeu një ngjarje personale, ku tha se e ka takuar Laurën së bashku me të fejuarin e saj në Aeroportin e Milanos dhe zëdhënësja e PD-së i ka shprehur komplimentet dhe adhurimin e saj për të.

Menjëherë pas kësaj deklarate, Laura Vorpsi ka dërguar një SMS, në të cilin nuk e mohon takimin, por deklaron se kurrsesi nuk i ka thënë ato fjalë. Rama tha se Laura i kishte kërkuar edhe foto, dhe të dy çiftet janë fotografuar nga celulari i saj.