Deputeti demokrat, Gazment Bardhi, është përjashtuar me 5 ditë nga Parlamenti. Vendimi ka ardhur pas sjelljes së tij të bërë në Komisionin e Ligjeve.
“Në drejtimin e znj. Klotilda Bushka, ditën e sotme u mblodh Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën, për shqyrtimin e kërkesës së grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, lidhur me situatën e krijuar nga deputeti z. Gazmend Bardhi, gjatë zhvillimit të mbledhjes së Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, të datës 15.11.2022. Në këtë mbledhje deputeti Bardhi përdori gjuhë jo parlamentare ndaj Kryetares së Komisionit, shoqëruar me veprime agresive, duke dëmtuar paisjet audio në sallën e mbledhjes së komisionit, si dhe keqpërdori dokumentacionin e mbledhjes, duke i hedhur shkresat e mbledhjes drejt Kryetares së Komisionit. Bazuar në Rregulloren e Kuvendit, neni 63 pika ç dhe neni 65/1, Sekretariati vendosi me 3 vota Pro dhe 2 Kundër, marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seanca plenare për 5 (pesë) ditë”, për deputetin z. Gazmend Bardhi”.
Situata ndodhi pasi kryetarja e komisionit, Klotilda Bushka, hodhi në votim projektligjin për Portin e Durrësit, por u kundërshtua në mënyrë të ashpër nga deputetët opozitarë.
Deputeti Bardhi është ngritur dhe i ka marrë mikrofonin kryetares së Komisionit. Më pas ka hedhur edhe disa mikrofonë të tjerë, ndërsa në fund hodhi edhe fletët në ajër.