I forti i rrugës “Myslym Shyri”, Gjergj Cukali, tashmë i arrestuar, kishte pikasur se po përgjohej nga policia, disa ditë para se të kryhej operacioni nga ana e policisë.

Sapo kishte marrë këtë informacion, ai mbylli telefonin dhe përdori një numër tjetër. Ai kontaktoi me shtetasin Artur Tarja, të cilit i kërkoi që të shkonte te kryqëzimi i “21 Dhjetorit” për të takuar një person që bënte çelësat.

Tarja është takuar me një person të paidentifikuar, i cili e informoi se Cukali dhe banda e drejtuar prej tij ishin nën mbikëqyrje të plotë. Artur Tarja i thotë Gjergj Cukalit që të mos flasë me askënd dhe për 10 ditë të qëndrojë i izoluar e të mos dalë në rrugë, shkruan sot “Shqiptarja.com”.

Biseda mes tyre konfirmon faktin që ata ishin vënë në dijeni se po vëzhgoheshin nga policia. Nuk dihet se kush i ka vënë në dijeni rreth faktit që ndaj tyre po kryheshin hetime.

Në këtë moment, policia dhe prokurorët i druheshin faktit se ndoshta Gjergj Cukali mund të tentonte arratisjen, dhe në këtë mënyrë kanë ndërhyrë duke bërë arrestimin e tij dhe të bandës që drejtonte. Mes të arrestuarve është edhe një femër, që ishte financierja e grupit.

Banda e Cukalit shpërndante doza kokaine në zonën e ish-Bllokut dhe lokale e vende të tjera të njohura në Tiranë.