Presidenti Ilir Meta ka folur për mediat nga Pogradeci, ku ndodhej për të marrë pjesë në “Mëngjesin e Lutjeve”.
I pyetur nga gazetarët nëse i frikësohet një shkarkimi nga Gjykata Kushtetuese, Meta tha se është i qetë dhe i pashqetësuar pasi me veprimtarinë e tij ka mbrojtur Kushtetutën.
“Jam shumë i zhgënjyer për pyetjen tuaj sepse nuk ekziston asnjë çështje e tillë. Ajo është çështje politike. Jam tepër i qetë dhe i pashqetësuar për sjelljen e të tjerëve sepse sjelljet e mia kanë qenë tërësisht në respekt të Kushtetutës. Jam krenar për gjithë veprimtarinë time në mbrojtjen e Kushtetutës, e cila është sulmuar në mënyrën më armiqësore, por edhe më tradhtare nga faktorë të jashtëm edhe të brendshëm për të pasur Shqipërinë sot në një situatë aspak të dëshirueshme në raport edhe me proceset e integrimit europian, Kuvendi duhet të kishte çelur negociatat me kohë në rast se do të kishte marrë në konsideratë propozimet dhe përpjekjet e Presidentit prej bvitesh për të kapërcyer krizat e mirëstrukturuara si të zgjedhjeve të paligjshme vendore ashtu edhe të kapjes me çdo çmim të Gjykatës Kushtetuese në mënyrë kriminale, siç ka faktuar edhe vetë Komisioni i Venecias në të kaluarën.”





