Acari që ka përfshirë vendin gjatë kësaj fundjave pritet të vazhdojë të paktën edhe deri në mesjavë. Kjo për zonat e ulëta dhe bregdetare të vendit, pasi temperaturat në minus gradë në vendet malore do të vazhdojnë.
Parashikimin e motit për javën që vjen e ka bërë Shërbimi Meteorologjik Ushtarak.
Parashikimi i motit për 5 ditët e ardhshme:
I ftohti që ka përfshirë vendin do të vijojë në ditët e para të kësaj jave.
Gradualisht në mesjavë këto masa do të tërhiqen ashtu sikundër dallohen dhe në vlerat e temperaturave të parashikuara më poshtë.
Gjatë së hënës në verilindje nuk do të mungojnë në formë të izoluar flokë dëbore. Ardhja e masave më të ngrohta gjatë së premtes do të sjellë sistem vranësirash të cilat në jug do të pasohen pasdite e në mbrëmje me reshje shiu të dobëta. Po kështu në zonat malore do të rinisë bora e dobët.
Era e ftohtë veriore deri në mesjavë do të kthejë drejtim nga juglindja e lehtë e mesatare në bregdet. Valëzimi i forcës 3 dhe 4.