TIRANË- Reshjet e dëborës kanë ndaluar në pjesën më të madhe të vendit, ndërsa problem mbetet qarkullimi në shumë akse si pasojë e ngricës. E tillë është situata në të gjitha rrugët e rrethit të Pukës, ku kërkohet përdorimi i zinxhirëve, ndërsa segmentet rrugore Fushë Arrëz-Kukës, Qafë Mali-Fierzë, janë të hapura me një kalim. Vazhdon të mos hidhet kripë dhe skorje. Komuna Iballë e bllokuar dhe pa energji prej 6 ditësh. 

Në qarkun e Dibrës vijojnë të jenë të bllokuara 6 komuna dhe disa fshatra të thella malore. Prej 4 ditësh nuk bëjnë mesim rreth 1 mijë nxenës në gjithe qarkun, për arsye të bllokimit të rrugëve, me dëborën që ka arritur 70-80 cm ne zonat e bllokuara. 

Aksi Bulqizë-Librazhd i bllokuar, ndërsa Peshkopi-Qafë Buall kalohet me zinxhirë dhe me shumë vështirësi nga ngrica. 10 komuna dhe disa fshatra të bllokuara në qarkun e Kukësit, ndërsa të gjitha akset janë të kalueshme me zinxhirë, përvec aksit Morinë-Tunel i Kalimashit. Vazhdon mungesa e energjisë elektrike në disa komuna të rrethit Tropojë, ndërsa shkollat janë të mbyllura në rrethin e Hasit dhe në pjesën më të madhe të rrethit Kukës. 

Në rrethin e Gramshit vijojnë të jenë të bllokuara fshatrat Rovie dhe Grabova, ku vijojnë reshjet e borës. Në qarkun e Gjirokastrës qarkullohet me zinxhirë drejt komunave Pogovë, Zagori, Frashër, Lops dhe Kurvelesh. Në Malësinë e Madhe tëë bllokuara 3 komuna dhe fshati Vermosh në Shkodër. Situata e përmirësuar në qarkun e Korcës, ndërsa qafa e Llogarasë në Vlorë kalohet pa zinxhirë.