Temperaturat e ulëta dhe moti i keq kanë mbërthyer Evropën, duke paralizuar lëvizjen e qytetarëve dhe vënë në alarm autoritetet.
Veriu i Italisë është i pushtuar nga i ftohti Siberian, që ka sjellë ngrica të pagëzuara me emrin “Buran”.
Thuajse të gjitha rajonet e veriut të Italisë janë vënë alarm maksimal. Në Lombardi termometri arriti deri në -15 gradë celsius, ndërsa shpejtësia e erës ishte rreth 100 km/h. Po ashtu në Emilia Romagna, Piemonti, Liguaria, autoritetet urdhëruan mbylljen e disa shkollave.
Edhe në Francë situata shfaqet emergjente. Java e ardhshme pritet të jetë edhe më e ftohtë, me temperatura deri në -20 gradë në disa zona. Vala e ngricave është quajtur “Moskë-Paris” nga mediat franceze. Autoritetet vendase paralajmëruan qytetarët të qëndrojnë në banesa, ndërsa transporti ajror e rrugor pritet të shkojë në kaos.
Britania e Madhe gjithashtu është përfshirë nga i ftohti siberian. Sipas autoriteteve vendase, vendi ishullor mund të jetë më i ftohtë edhe se Norvegjia gjatë kësaj fundjave.