Inskenon ngjarjen dhe bën kallëzim të rremë në polici për baxhanakun për armëmbajtje pa leje në banesë, arrestohet 31-vjeçari. 

Policia e Fierit zbardhi ngjarjen, dokumentoi inskenimin dhe arrestoi autorin për veprat penale “Kallëzim i rremë”, “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, “Prodhim e mbajtje pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Trafikim i lëndëve plasëse”.

I arrestuari është Vasil Yzeiraj, 31 vjeç, banues në Aranitas, Mallakastër. Ai kallëzoi në polici se në banesën e një personi (baxhanakut të tij), kishte armë pa leje dhe lëndë narkotike. Policia me të marrë informacionin bëri kontrollin e banesës dhe gjeti dy granata dhe një sasi lënde narkotike të dyshuar kanabis sativa.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi Vasil Yzeiraj kishte inskenuar vetë ngjarjen dhe i kishte vendosur ai sendet e paligjshme. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy granata dhe 508.6 gramë kanabis sativa.