Policia e Mallakstrës ka arrestuar një 57-vjeçar, të cilit iu gjet në banesë një armë pa leje.
Mësohet se 57-vjeçari u arrestua nga policia nën akuzën e “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak”.
“Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet e marra në rrugë policore se një shtetas dispononte armë zjarri në banesë, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën për kapjen e tij.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në fshatin Kash, në banesën e shtetasit M. B., u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pushkë.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. B., 57 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet në ngarkim të tij i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme.





