Një 19-vjeçar ka përfunduar në prangat e policisë pasi gjatë kontrollit në banesë iu gjet 2.1 kilogramë lëndë narkotike.

Nga burimet zyrtare mësohet se forcat blu kanë sekuestruar lëndë narkotike e llojit cannabis sativa.

NJOFTIMI I POLICISË

Në vijim të punës për parandalimin dhe ndëshkimin e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. C., 19 vjeç, banues në Fier.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 19-vjeçarit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2.1 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Nxitja për përdorimin e drogës”.