Çfarë bie jashtë, pikon e futet brenda banesës së familjes Gjera në Hamallaj të Durrësit.

Të mbetur pa punë, në vështirësi ekonomike dhe me një fëmijë 6-vjeçar, Mira Gjera kërkon ndihmë përmes “DurrësLajm” për të publikuar gjendjen e rëndë ku jeton, si pasojë e dëmtimeve që pësoi godina pas tërmetit të 26 nëntorit.

Banesa e vjetër ku ajo jeton është e dëmtuar rëndë nga tërmeti, siç duket qartë edhe nga pamjet që ka dërguar pranë redaksisë sonë.

“Shiu i sotëm që ra e bëri të pamundur për të jetuar. Bashkia na ka dhënë 1 milion lekë të vjetër për riparimin e dëmeve nga tërmeti, por me 1 milion nuk mund të bësh asnjë gjë, sepse e gjithë shtëpia ka nevojë për rregullim”, shprehet ajo.

Më tej, Gjera apelon për ndihmë:

“Ju lutem më ndihmoni për ta publikuar gjendjen në të cilën po jetoj, sepse dimri po afron dhe është e pamundur të banosh në këtë shtëpi. Unë jam pa punë, edhe burri është pa punë dhe kam një fëmijë 6 vjeç. Ne nuk kemi asnjë mundësi që ta rregullojmë shtëpinë”.