Brazili një prej vendeve të goditura më rëndë nga pandemia, ka nisur vaksinimin duke filluar me stafin mjekësor. E para që mori vaksinën anti-Covid u bë Monica Calazans, një infermiere 54-vjeçare në San Paulo.
Autoritetet braziliane janë duke përdorur vaksinën kineze Sinovac. Rregullatori shëndetësor në këtë vend, Anvisa, i ka dhënë dritën e gjelbër edhe vaksinës Oxford-AstraZeneca. Me mbi 8.4 milionë njerëz të infektuar me koronavirus, Brazili është vendi i tretë më i prekur në botë, ndërsa ka dhe numrin më të lartë të viktimave, pas SHBA-së: mbi 209,000.
Autoritetet raportuan 551 viktima të dielën – hera e parë në gjashtë ditë që kjo shifër nuk arrin në 1,000. Presidenti Jair Bolsonaro, i cili e ka minimizuar pandeminë nga fillimi, po përballet me kritika në rritje për trajtimin e sëmundjes.
Pakënaqësia shpërtheu hapur në formën e disa protestave anti-qeveritare të mbajtura këto ditë. Si kundërshtar i masave të izolimit, Bolsonaro ka fajësuar guvernatorët e shteteve dhe kryetarët e bashkive për krizën, ndërsa pretendon se qeveria federale i ka siguruar të gjitha burimet e nevojshme për të luftuar virusin.