Nuk i bindet urdhrit të punonjësit të policisë për të ndaluar, dhe pasi uniformat blu e ndalojnë, gjatë kontrollit në mjet i gjenden mjete që shërbejnë për të kryer vepra penale.

Ky rast është regjistruar dje në qytetin e Durrësit, në lagjen nr. 17 dhe bëhet fjalë për shtetasin Viktor Vezi 31 vjeç, banues në Tiranë, i cili u arrestua në kushtet e flagrancës.

“Më datë 06.06.2017, në lagjen nr.17, Durrës nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të policisë për të ndaluar.

Në vijim është ndjekur nga Efektivët e Policisë, të cilët kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e tij.

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale sende që shërbejnë për të kryer vepra penale.

• një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit kanabis sativa;

• thika;

• kaçavida;

• targa motori;

• disa telefona celularë”.

Policia thotë se Vezi është person me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër pronës dhe kundërshtim të uniformave blu.

Ndaj tij rëndojnë 4 akuza: “Sigurimi i mjeteve për vjedhje”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.