Personi i 39-të i infektuar me koronavirus në Durrës është një djalë i ri, i cili u përfshi në një aksident automobilistik dy ditë më parë.
Pas një aksidenti të ndodhur tek tregu i makinave në Durrës, ky person është dërguar në spitalin rajonal për të marrë ndihmën mjekësore, por pas dyshimit të bluzave të bardha se mund të jetë i infektuar me COVID-19, i është nënshtruar testit të koronavirusit.
“DurrësLajm” mëson se i është marrë tamponi atij dhe 3 personave të tjerë që ndodheshin në të njëtën makinë me të, nga ku ai ka rezultuar pozitiv, ndërsa të tjerët jo.
Drejtoresha e spitalit rajonal të Durrësit, Nadire Jani, në një komunikim me “DurrësLajm”, bën të ditur se dy prej testeve janë bërë në Durrës, ndërsa dy të tjerat tek spitali i Traumës në Tiranë.
Jani deklaron se testet e zhvilluara në Durrës kanë dalë negative, ndërsa personeli i mjekëve që kanë mjekuar pacientin që rezultoi pozitiv me Covid-19, janë tashmë vetëkarantinuar.
Ndërkohë, i riu aktualisht është në Spitalin Infektiv në Tiranë, ku mësohet se është në gjendje të stabilizuar.
S.L.





