Një ditë më parë u nda nga jeta ish zv/ministi i Brendshëm, Sokol Baraj, ndërsa sot atij i jepet lamtumira e fundit. Ceremonia mortore ka nisur në orën 09:00 në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, ndërkohë të pranishëm gjatë homazheve kanë qenë shumë personalitete.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako u shpreh se ai ka qenë ndër drejtuesit më të mirë të bluve në vend. “Respekt pa fund në emër të gjithë punonjësve të policisë së shtetit dhe brezave për një nga drejtuesit më të mirë. Kjo mirënjohje është mëse e qartë sepse Sokol Baraj dha gjithë kontributin e tij në Policinë e Shtetit. Ngushëlloj familjen më këtë rst për ndarjen nga jeta parakohe të tij. I përjetshëm qoftë”, u shpreh Çako.

Ndërsa Neritan Ceka u shpreh se Baraj ka dhënë një kontribut të çmuar për çlirimin e Kosovës.

Kush ishte Baraj

Drejtor i Policisë së Shtetit – Koha e qëndrimit në detyrë: 3 korrik 1997-16 maj 1998 (dhjetë muaj e gjysmë). Ka punuar deri në vitin 1993 në SHIK, largohet për shkak të reformës, në 1997 zëvendësministër i Rendit e më pas Drejtor i Përgjithshëm i policisë. Më pas karriera e tij vazhdon si këshilltar i kryeministrave shqiptarë për probleme të rendit dhe sigurisë dhe sërish në Shërbimin Informativ.

Më pas, pedagog në Akademinë e Rendit dhe nga viti 2005 e nxjerrin në lirim. Në vitet 1990-1991 ai ka qenë drejtues i Komisariatit të Kavajës. Baraj ka luajtur edhe me skuadrën e Dinamos si portier.