Pas ekzekutimit të një 40-vjeçari nga Tropoja në banesën e tij në Vlorë, një tjetër ngjarje e rëndë u shënua pak minuta më vonë. Një automjet ka shpërthyer me tritol, vetëm 100 metra larg vrasjes së Fatjon Sinanit.

Policia e Vlorës ka marrë në pyetje pronarin e makinës  Elton Ismailajn. Ky i fundit ka pohuar se ishte në banesën e prindërve gjatë kohës kur ndodhi shpërthimi. Ai ka thënë se nuk kishte konflikte me njeri dhe as debate kohët e fundit.

Ndërkohë mësohet se ndër vite familjarët e tij kanë qenë objekt atentatesh. Në 1996-n i kanë vrarë të vëllanë, në 2006-n dajën dhe në 2007-n motrën e tij. Gjithashtu i kanë bërë atentat me eksploziv dhe në një diskotekë që ishte në pronësi të tij po në qytetin e Vlorës.

Shpërthimi ndodhi në lagjen “15 Tetori” rreth orës 23:00. Autorë të paidentifikuar i vunë lëndë plasëse (shpërthyese) automjetit tip Ford Autoveturë me targë AA 987 KP. Automjeti ka qenë i parkuar në një rrugë dytësore pranë Bashkisë së qytetit, në pronësi të 42-vjeçarit. Si pasojë e shpërthimit, mjeti është dëmtuar në pjesën e përparme.