30 korrik 2015 – I riu nga fshati Levan i Fierit ka rrëfyer ngjarjen e rëndë, ku pas një debati me bashkëshorten e tij, ai e ka shtyrë atë në tokë dhe për pasojë 19-vjeçarja ka ndërruar jetë menjëherë. Thoma Hajdini ka pranuar ta ketë shtyrë, por jo me qëllimin për ta vrarë.
Si ndodhi ngjarja
Pas një debati me bashkëshortin, 19-vjeçarja F.Sh. i ka thënë atij se do të merrte fëmijët e do të largohej për të jetuar te prindërit e saj në Gjirokastër, pasi nuk mund të duronte më dhunën që i ushtrohej.
Në këtë moment, 22-vjeçari Thoma Hajdini është nxehur më shumë dhe ka nisur ta qëllojë. Nga hetimet është konkluduar se e reja ka dalë në oborr të shtëpisë me qëllim që t’i shpëtonte dhunës, por bashkëshorti e ka ndjekur dhe e ka shtyrë. Si pasojë, ajo është rrëzuar në tokë dhe koka i është përplasur në një themel betoni që i ka shkaktuar plagë të rëndë.
Si pasojë e goditjes së marrë, 19-vjeçarja ka ndërruar jetë pas pak çastesh. Pavarësisht se familjarët e tjerë kanë tentuar ta shpëtojnë 19-vjeçaren duke e transportuar me urgjencë drejt spitalit, ajo ka mbërritur e vdekur aty. Nga ekspertimi mjekoligjor është konstatuar se viktima kishte një hematomë në kokë që dyshohet të ketë qenë edhe plaga vdekjeprurëse.
Trupi i pajetë i 19-vjeçares është marrë nga familjarët e saj në Gjirokastër. Mësohet se çifti jetonte në kushte të vështira ekonomike. Ata kishin dy fëmijë të vegjël të cilët kanë qenë të pranishëm në momentin kur ka ndodhur ngjarja.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/